Transmetuar më 08-10-2022, 11:25

Futbolli është më i rëndësishmi nga gjërat më pak të rëndësishme, tha Arrigo Sacchi. Që do të thotë se, si çdo gjë që ndodh, ka ndikim në jetën e njerëzve. Humbja e ekipit tuaj mund të përkeqësojë (dhe jo pak) humorin e një personi, ndërsa një fitore e papritur jep gjithmonë një frymë optimizmi.

Nëse kjo iu ndodh atyre që i shikojnë ndeshjet në stadium ose në TV, imagjinoni se çfarë mund të ndodhë me ata që shkojnë në fushë. Por siç tregojnë edhe rrëfimet e shumë futbollistëve të njohur, nuk janë të rralla rastet kur futbolli krijon probleme psikologjike, duke i detyruar yjet e futbollit të kërkojnë ndihmë nga specialistët.

I fundit në listë që e pranon këtë është Edinson Cavani. Uruguajani, aktualisht te Valencia, ka dhënë një intervistë për "Relevo", duke shpjeguar se një futbollist duhet të mendojë për të gjitha aspektet e jetës së tij, për të përmirësuar performancën, përfshirë terapinë psikologjike.

Dhe hera e parë që "Matador" e ka ndjerë nevojën është pas një ndeshjeje që mund të futet lehtësisht në listën e traumave… “Hera e parë që e bëra ishte pas përmbysjes së Barcelonës, kur luaja te PSG. Më goditi shumë ajo përmbysje dramatike".

Në fund të fundit, ka shumë rezultate të papritura, por ai 6-1, sidomos pasi ndeshja e parë përfundoi 4-0 dhe goli i avantazhit francez (pikërisht me Cavanin) ishte i bujshëm… "Në pesë minuta gjithçka që bënim ndryshoi. Ishte një goditje e madhe, të cilën nuk mund ta kontrollonim. Edhe nëse flasim për futbollin, është diçka që të prek në nivele të tjera, me simptoma ankthi, djersitje të ftohta…

Isha shumë i shqetësuar kur flija. Madje, në një moment kisha frikë edhe të flija, – sqaron Cavani, i cili kërkoi ndihmë psikologjike. – Po pyesja veten: a kam ndonjë problem me kokën? Shkova te mjeku i PSG-së, të cilin e dua shumë, i cili më tha: Ajo që po ndodh me ty, iu ndodh shumë njerëzve të tjerë në fusha të ndryshme. Ke nevojë për ndihmë psikologjike".

Me pak fjalë, ajo "remuntada" për PSG-në ishte një makth i vërtetë. Dhe nëse dikush pretendon se nuk mund të përfundoni në terapi psikologjike për një lojë futbolli, mund ta dërgoni të pyesë Cavanin…

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd