Transmetuar më 08-10-2022, 08:25

Në bisedë me STAR + në Amerikën Latine, Leo Messi së fundmi dha lajmin që asnjë tifoz nuk donte ta dinte, “Katar 2022” do të jetë Botërori i tij i fundit. Por ai gjithashtu donte të fliste për aspekte të tjera sportive, siç është faza e tij aktuale te Paris Sant Germain. Pikërisht kur përflitet se nuk është rehat me disiplinën e skuadrës pariziene dhe një rikthim të mundshëm te Barcelona, ​​ai ka rrëfyer se si kanë qenë ditët e para në kryeqytetin francez.

Messi pranoi se gruaja e tij Antonela Roccuzzo dhe tre fëmijët e tyre Thiago, Mateo dhe Ciro nuk u përshtatën shumë shpejt me jetën e re. Ai dhe gruaja, fillimisht e patën shumë të vështirë: "Ne kemi vuajtur shumë për këtë. Mbaj mend që i lamë fëmijët në shkollë dhe u largova duke qarë, duke vuajtur për ta.

Në Barcelonë e ndërtuam jetën tonë, nuk është e lehtë të shkosh në një vend të ri me një gjuhë tjetër. Menduam se do të kalonin një kohë të keqe. Ishte ajo që na shqetësonte më shumë. Duhej t’i nisnim nga zero të gjitha; fëmijët të nisnin shkollën, të bënin miq të rinj. Nuk ishte diçka shumë normale, shumë e thjeshtë për ta”.

Lidhur me fëmijët e tij, Leo Messi tha se Mateo është më i ngjashëm me të: "Ai është njësoj si unë, kur kam qenë i vogël, nuk i pëlqen të humbasë në asgjë. Nëse humbet, bën rrëmujë. Njësoj sikurse isha unë në fëmijëri. Ai nuk di të humbasë, nuk i pëlqen të humbasë. Thiago është i qetë, s’ka lidhje me Mateon, është fenomen, është i mirë. Ciro ngjason me Mateon, e kopjon shumë atë".

E ardhmja e Messit nuk është e vendosur. Nisur nga lëvizjet e mundshme të Barcelonës për të arritur rikthimin e yllit argjentinas në “Camp Nou”, në fund të sezonit, tashmë ka pasur një reagim nga PSG. Klubi parizien synon t’i paraqesë sulmuesit një propozim të parë për të rinovuar.

Kontrata e tij aktuale skadon më 30 qershor 2023. Oferta është për një sezon shtesë, me opsion të dytin, duke respektuar kushtet aktuale ekonomike prej 30 milionë euro në vit.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd