Transmetuar më 06-10-2022, 13:06

Kompania gjermane e makinave me qira dhe ofruesi i shërbimeve të transportit rrugor “Sixt” ka vendosur të porosisë 100.000 automjete elektrike nga kompania kineze “BYD” gjatë gjashtë viteve të ardhshme, njoftoi kompania, citon noa.al, agjencinë e lajmeve “Xinhua”.

“Sixt” tashmë ka porositur disa mijëra automjete elektrike nga “BYD”. Kompania kineze bëri të ditur se automjetet e para do të jenë të disponueshme për klientët në Evropë, duke filluar me Gjermaninë, Francën, Holandën dhe Mbretërinë e Bashkuar, në tremujorin e katërt të vitit.

“Marrëveshja me “BYD” është një moment historik i rëndësishëm për të përmbushur premtimin tonë për të nxjerrë sa më shumë makina elektrike në rrugë”,- tha Vinzenz Pflanz, shefi i biznesit, përgjegjës për shitjet dhe blerjen e automjeteve në “Sixt SE”.

Me këtë porosi, sipas kompanisë, “Sixt” do të jetë kompania e parë e makinave me qira në Evropë që ofron automjetet e “BYD”. Modeli i parë “BYD” që do të shpërndahet do të jetë SUV plotësisht elektrik (automjet sportiv) BYD Atto 3.

Nënshkrimi i marrëveshjes midis Kompanisë kineze BYD dhe Kompanisë gjermane Sixt (Foto sohu.com)

“Bashkëpunimet janë një pjesë thelbësore e strategjisë së biznesit të “BYD”. Vizioni i përbashkët na lejon të ndërtojmë së bashku ëndrrat tona të gjelbra, duke nisur fillimisht nga Evropa”,- deklaroi Michael Shu, menaxher i përgjithshëm dhe drejtor menaxhues i “BYD Europe” dhe i Divizionit të Bashkëpunimit Ndërkombëtar.

“Sixt” synon t’i ketë elektrike 70-90% të makinave të flotës së saj në Evropë deri në vitin 2030, duke mbuluar një gamë të gjerë prodhuesish dhe modelesh.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd