Transmetuar më 06-10-2022, 13:05

Të dyja skuadrat kanë nevojë për reagim urgjent, të dy trajnerët respektivë nuk janë në pozita komode. Klasikja e futbollit shqiptar Vllaznia-Partizani është “qershia mbi tortë” e javës së shtatë të Superiores. Në konferencën për shtyp para kësaj ndeshjeje, trajneri kuqeblu Mirel Josa u shpreh para gazetarëve:

“Nuk mund t’i themi derbi, sepse nuk janë dy skuadra të një qyteti. Normalisht është një ndeshje e rëndësishme, si të gjitha ndeshjet e kampionatit. Duhet pasur parasysh që kemi një Partizan, i cili do të ketë një paraqitje tjetër, nisur nga ajo që pësoi me Tiranën.

Do të jetë një skuadër shumë e kujdesshme dhe ne duhet të kemi parasysh se çfarë duhet të bëjmë në fushën e lojës. Duhen rregulluar disa gjëra, nevojitet pjesëmarrje më e madhe në zonën e kundërshtarit. Duhet të jemi shumë më të kujdesshëm në pasimin e fundit. Gjithashtu nuk duhen humbur ekuilibrat e skuadrës, sepse Partizani është një skuadër që ka lojtarë cilësorë.

Mungesat? Peshojnë si për njërën skuadër, ashtu edhe për tjetrën, janë pjesë e kampionatit. Personalisht duhet t’i bëj llogaritë me lojtarët që kam në dispozicion dhe çfarë mund t’iu marrë atyre.

Nuk duhet t’i futemi shumë ndeshjes me Teutën. Ajo sfidë pati dhe të mirat e veta, pati edhe dobësi. Probleme kishim në pasin e fundit, duhet të ishim shumë të kujdesshëm. Gjithashtu, gjatë zhvillimit të lojës, mund ta godisnim kundërshtarin në momente të caktuara. Kështu që duhet kujdes. Mua më kënaq paraqitja edhe dëshira e lojtarëve për të bërë më tepër se ndeshja e kaluar. Kjo dëshirë më mbush me optimizëm për nesër.

Lojtarët që i kemi të dëmtuar, qoftë Latifi, qoftë Boshnjaku, qoftë Heriç nuk do të jenë gati për Partizanin. Nuk janë thirrur në grumbullimin me ekipin. Kemi pasur probleme dhe me Hakajn. Do të shohim si do të shkojë në stërvitjen e fundit sot dhe më pas do të vendosim.

Duhet të bëjmë më tepër në sulm. Kemi dy ndeshje që nuk pësojmë. Nga njëra anë kjo më ngroh, por nga ana tjetër duhet të kemi kujdes të mos prishim ekuilibrat, duke pasur parasysh lojtarët që do të hedhim në fushë.

Çdo ndeshje ka rëndësinë e vet. Edhe sikur të ishim në pozita më të mira në klasifikim, edhe sikur të ishim në pozita më këqija, unë do të thoja të njëjtat fjalë, se ne duhet ta fitojmë ndeshjen”.