Transmetuar më 04-10-2022, 20:58

Kryetari i PD-se, Sali Berisha vizitoi këtë të martë familjen e Martin Jakut në Bubq, të cilit iu shemb banesa nga tërmeti i Nëntorit të 2019-ës.

Sot Berisha i tha familjes Jaku se do të bëjë gjithçka për të ndihmuar dhe teksa komentoi dasmën e vajzës, kreu i PD-së tha se u përmallua nga historia pasi prindërit e vajzës rrëfyen historinë rrëqethëse në ABC, momentin se si përcollën vajzën e tyre nuse nga çadra.

“Jam prekur shumë. Nusja është shpresë. Ju më përmalluat, kur pash gjendjen tuaj. Do të bëjmë gjithçka për t’ju ndihmuar. Natyrisht ndihmën më të madhe do ta japim pasi të heqim qafe këtë qeveri të pashpirt, e cila ka marrë nga Europa dhe donatorët mbi 1 miliardë euro dhe i kanë shpërdoruar dhe përvetësuar. I kanë shpërndarë sipas qejfit dhe jo sipas nevojës. Urdhëroni, ja ku është nevoja këtu dhe se ku jetonte motra infermiere, në kushte të pabesueshme dhe ku jetoni ju, në një kohë kur mundësitë kanë qenë të plota për të rindërtuar çdo banesë të dëmtuar, pasi BE-ja i dha fondet. Vendet mike i ndihmuan shqiptarët, por këta u vërsulën si të pangopur në përvetësimin, abuzimin, shpërdorimin blerjen e votave”, tha Berisha.