Transmetuar më 05-10-2022, 07:37

Futbolli ka të bëjë me rivalitetin dhe asgjë nuk e nxjerr në dritë këtë ndjenjë si një derbi. Kur dy ekipe nga i njëjti qytet përballen, tensioni mund të rritet në qiell dhe madje mund të godasë atje ku nuk e prisni.

Ky është rasti i derbit të Manchesterit, i cili para fillimit të ndeshjes, më pas e fituar 6-3 nga City, i shkaktoi një plagë dekorit urban. Siç raportohet nga "Manchester Evening News", dikush ka përfituar nga rasti për të njollosur një murale që paraqet trajnerin e "qytetarëve", Pep Guardiola, në murin e një shtëpie pranë "Etihad".

As fakti që kjo murale është bërë për bamirësi nuk i ka penguar vandalët. Fytyra e Guardiolës është lyer me bojë të kuqe. Pranë fytyrës së trajnerit katalanas u shfaqën inicialet MUFC, që identifikojnë Manchester United, krahas datave të tre Champions League të fituar nga "Djajtë e Kuq" (’68, ’08 dhe ’99).

E gjitha kjo për të tallur faktin që Pep te City ende nuk ka arritur të fitojë një herë të vetme kupën me veshë të mëdhenj. Lesley Kelly, pronari i shtëpisë, kontaktoi artistin Mark Silver për ta krijuar këtë vepër arti. Qëllimi i tij ishte të mblidhte para, që më pas do të shkonin për bamirësitë lokale dhe kombëtare.

Kjo është arsyeja pse zemërimi për atë që ndodhi nga vandalët është shumë i lartë. "Është shumë zhgënjyese… Disa banditë budallenj e bënë përsëri, një fqinj arriti t’iu bërtiste dhe ata u larguan me shpejtësi me biçikletat e tyre.

Kjo nuk ka të bëjë fare me futbollin, është vandalizëm, thjesht idiotësi. Tifozët e Manchester United erdhën dhe na thanë se vepra e artit nuk zemëron askënd, se muralja është këtu për të ndihmuar komunitetin dhe për t’i bërë të gjithë më të lumtur. E bëmë për të mbledhur para dhe për të rritur vëmendjen për kauza vërtet të rëndësishme".

Megjithatë, siç shpjegoi zoti Kelly, nuk është hera e parë që ndodh. Rreth dhjetë ditë më parë dikush kishte shkruar MUFC me bojë të gjelbër në murale, brenda disa orësh nga krijimi i saj. Sido që të jetë, vandalizmi sigurisht që nuk solli të mira, duke qenë se si përfundoi derbi…

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd