
Xavi e kujton herën e fundit që kaloi nga "San Siro" për të sfiduar Interin, i veshur blaugrana: “Kur u përcaktua shorti, sigurisht që mendova për gjysmëfinalen e vitit 2010. Udhëtuam me autobus prej vullkanit islandez, nuk ishte e lehtë të arrinim këtu… Ne morëm kryesimin e ndeshjes, por zikaltrit kishin një skuadër të trajnuar më së miri nga Mourinho. Humbëm në "San Siro", pati shumë polemika, është një kujtim i trishtuar për ne”.
Në konferencën para ndeshjes Inter-Barça iu kujtuan edhe gabimet e supozuara të arbitrave në atë kryqëzim që u bë histori, megjithatë trajneri i Barcelonës përdori sensin e shëndoshë: "Kam besim absolut në ndershmërinë e tyre”.
Me pak fjalë, e kaluara ka një peshë, por ndoshta e tashmja më shumë, sepse edhe skuadra e Xavit do të ketë "arna", sidomos në mbrojtje, për shkak të dëmtimeve të rëndësishme. Katalanasit duket se janë shumë të vendosur ndaj një Interi plot telashe.
“Duam të dominojmë, të zotërojmë topin dhe të luajmë në gjysmëfushën e kundërshtarit, – është mesazhi i Xavi. – Kjo është historia e Barcelonës dhe unë nuk do ta ndryshoj atë. I analizuam zikaltrit, janë kundërshtar i fortë, por mentaliteti ynë është të jemi gjithmonë protagonistë të lojës”.
Zikaltrit, edhe pse në rënie të lirë, e shqetësojnë shumë trajnerin katalanas, që admiron disa “mekanizma të automatizuar” të Inzaghit, të cilët rezistojnë pavarësisht mungesave: “Interi përdor një modul loje ndryshe nga skuadrat e tjera me të cilat jemi përballur.
Loja e Inzaghit është shumë dinamike, sepse përdor dy sulmues, çka në Spanjë nuk ekziston më. Është një rival i vështirë, i cili luajti shumë mirë kundër Romës. Duhet të dëshmojmë se jemi Barcelona, të luajmë si në Bavari, por ama të arrijmë rezultatin pozitiv.
Do të duhet të sulmojmë dhe të mos e lëmë Interin të vrapojë, sepse është një ekip shumë vertikal dhe dominon shumë pjesë të lojës. Ne do të përpiqemi të tregojmë personalitetin tonë. Ne të dyja skuadrat humbëm ndaj gjermanëve (Bayrn Munich), ndaj sfida e dyfishtë mes nesh do të jetë thelbësore.
Nuk mund të gabojmë. Nuk është ndeshje jetike, por shumë e rëndësishme. Lautaro është një lojtar me të vërtetë i rëndësishëm, shumë i mirë si në shënimin e golit, ashtu edhe në gjuajtje. Ai kërkon hapësira dhe është shumë interesant, të shohim nëse do të luajë…”
Për një tjetër bashkëlojtar argjentinas të "Toro" në kombëtare, ai që për shumëkënd një ditë do të kthehet në Katalonjë, më mirë të mos flasim: “Tani nuk është koha për të trajtuar çështjen e Messit. I uroj atij më të mirën, Barcelona është shtëpia e tij, por duke folur për të nuk po i bëjmë nder”.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





