Transmetuar më 03-10-2022, 15:26

Elbasan – Gjykata e Rrethit të Elbasanit ka lënë në burg ish-efektivin e forcave RENEA, Arbër Paplekajn, ndërsa ka vendosur dërgimin për gjykim të çështjes në ngarkim të tij, nën masën e sigurisë arrest me burg pa afat, raporton noa.al.

Paplekaj është i akuzuar për vrasjen e Pjerin Xhuvanit, 4 ditë para zgjedhjeve të përgjithshme të vitit të kaluar. Ngjarja e rëndë u regjistrua më 21 prill të vitit 2021, katër ditë përpara zgjedhjeve.

Arbër Paplekaj, ishte pjesëtar i grupit të Partisë Demokratike, i cili ishte ngritur me qëllim mbrojtjen e votës.

Pas përplasjes me armë, humbi jetën Pjerin Xhuvani, i njohur si aktivist i Partisë Socialiste, ndërsa u plagosën 4 persona të tjerë, përfshirë një oficere policie.

Paplekaj pranoi krimin dhe u vetëdorëzua në Repartin e Forcave RENEA në Tiranë. Ai deklaroi se qëlloi për vetëmbrojtje pasi fillimisht u qëllua nga persona që sipas tij po blinin vota.

Gjykata vendosi dërgim çështjeje për gjykim për nëndrejtorët e Policisë Elbasan, Albert Nushi e Niko Palla, duke u dhënë masë sigurie arrest në shtëpi.

Ndaj tyre është ngritur akuza për shpërdorim detyre dhe dhënie deklaratave të rreme para oficerit policisë gjyqësore.