Transmetuar më 03-10-2022, 14:10

Arritjet më të mëdha të skuadrave shqiptare në futboll, në Kupat e Europës, mbajnë emrin e Skënderbeut për meshkuj dhe Vllaznisë për femra. Kuqebardhët e Korçës shkuan deri në fazën e grupeve të Ligës së Europës, para disa vitesh, kur ishin në zenitin e tyre, pa u dënuar akoma nag UEFA.

Nga ana e tyre, vajzat kuqeblu të Shkodrës do të shijojnë këtë edicion të Ligës së Kampionëve deri në fazën e grupeve. Një arritje sportive e merituar përmes fushës së blertë, pa diskutim. Një sukses i madh, që nderon jo vetëm kryeqendrën e veriut, por krejt Shqipërinë.

Dihej se në këtë raund do të binin në short me kundërshtarë të mëdhenj, por goglat e përziera sot nga UEFA janë treguar sa bujare, aq edhe të pamëshirshme me Vllazninë për femra.

Bujare në planin e imazhit, sepse do të kenë mundësinë të përballen me Real Madridin, PSG dhe Chelsea, tre gjigantë të futbollit të femrave në kontionenet; ndërsa të pamëshirshme sepse do ta kenë thuajse të pamundur të marrin pikë në grupin A.

Pra, sikurse e kuptoni, në grup me vajzat kuqeblu janë edhe këto tri skuadra gjigante të kontinentit, shumë të forta dhe ambicioze.

Sidoqoftë, ia vlen t’i shohim vajzat e Vllaznisë në një skenë kaq të madhe kontinentale, të bëjmë tifo për to, t’i mbështesim fuqimisht në çdo drejtim, sepse do të përfaqësojnë futbollin tonë të femrave në një nivel të pamenduar më parë.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd