Problemet ligjore në Evropë po grumbullohen për Google. Kompania shumëkombëshe amerikane po përballet me një sërë padish, që e akuzojnë se ka abuzuar me dominimin e saj në tregun e reklamave dixhitale për të dëmtuar konkurrentët e saj dhe që mund të arrijnë në 25 miliardë euro dëmshpërblim,.
Paditë, të nisura nga Holanda dhe Mbretëria e Bashkuar, theksojnë se Google është përfshirë në sjellje antikonkurruese që do të dëmtonte biznesin e mediave dixhitale dhe kompanive të vogla, mes aktorëve të tjerë. Kështu, paditë kërkojnë "të marrin kompensim për botuesit e Bashkimit Evropian (BE) dhe Mbretërisë së Bashkuar".
“Kjo padi e rëndësishme do të përfaqësojë një grup viktimash të sjelljes anti-konkurruese të Google në fushën e teknologjisë së reklamave, të cilët kanë humbur kolektivisht rreth 7 miliardë paund”, – tha Toby Starr për "The Guardian", partner në firmën ligjore britanike "Humphries Kerstetter".
Paraqitja e këtyre padive nuk do të thotë se të dyja do të zgjidhen në mënyrë të favorshme. Google tashmë ka siguruar se do t’i luftojë fuqishëm disa kërkesa që i sheh si "spekulative dhe oportuniste". Procesi gjyqësor, ende për t’u hapur, mund të zvarritet në gjykatë për vite me radhë.
Google është shumë më tepër se motori kryesor i kërkimit në botë. Gjigandi amerikan është lideri kryesor në tregun e reklamave dixhitale, pasi përdor fuqinë e motorit të vet të kërkimit për të koordinuar shitjen e hapësirës reklamuese. Reklamuesit paguajnë shuma të mëdha parash për të vendosur reklamat e tyre për të arritur përdoruesit e shërbimeve të Google.
Vitin e kaluar kompania fitoi 209.49 miliardë dollarë vetëm në reklama, duke zënë 81.3% të biznesit të saj. Kështu, reklamimi është deri tani motori kryesor i një biznesi që mbështetet edhe nga shërbime të tjera si cloud.
Ky nuk është problemi i vetëm me të cilin përballet Google në Evropë. Vitet e fundit, Brukseli ka përforcuar vigjilencën ndaj aktivitetit të gjigantëve amerikanë të teknologjisë si Google, por edhe mbi Meta (Facebook), Amazon apo Apple, ndër të tjera. Në korrik 2018, Komisioni Evropian e gjobiti kompaninë me një gjobë rekord prej 4.34 miliardë eurosh për dominimin abuziv të tregut të telefonave celularë nëpërmjet sistemit Android, të cilin edhe e kontrollon.
Gjykata e Përgjithshme e BE-së do të vendosë për këtë rast sot. Nëntorin e kaluar, drejtësia evropiane miratoi tashmë një tjetër gjobë ndaj Google, në atë kohë prej 24.24 miliardë euro, duke favorizuar shërbimin e saj të krahasimit të çmimeve (Google shopping) mbi atë të rivalëve.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd