Transmetuar më 30-09-2022, 13:06

Tiranë- 4 zyrtarë të policisë së shtetit janë pezulluar nga detyra ditën e sotme, pasi akuzohen se kanë lejuar ndërtim pa leje në zonën e liqenit të Farkës.

Nën hetim janë vendosur shefi i Komisariatit nr 1, Bujar Mehmeti, Flamur Sula, me detyrë shef i postës policore në Farkë, inspektori i krimeve, Alban Rama si dhe Nazmi Kareci me detyrë specialist.

Këta persona dyshohet se kishin informacione që disa objekte kryesisht në zonën e Liqenit të Thatë dhe në Farkë ishin ndërtime pa leje, e megjithatë nuk kanë ndërhyrë për të ndërprerë punimet.

Njoftimi i AMP:

Janë pezulluar për 30 ditë, 4 zyrtarë të policisë Shefi i Komisariatit nr 1, Bujar Mehmeti, Flamur Sula shef i postës policore në Farkë, inspektori i krimeve, Alban Rama si dhe Nazmi Kareci me detyrë specialist.

Vendimi ka ardhur një ditë pasi, Agjencia e Mbikqyrjes së Policisë ka nisur një hetim për shkelje të rëndë, duke vënë në shënjestër 4 punonjës të policisë, pasi dyshohet se në mënyrë të qëllimshme nuk kanë marrë masa për parandalimin e paligjshmërisë.

Bëhet fjalë për pallatet dhe katet që janë identifikuar pa leje, objekte që në fakt duhet të ishin raportuar dhe të bllokoheshin. Këta persona dyshohet se kishin informacione që disa objekte kryesisht në zonën e Liqenit të Thatë dhe në Farkë ishin ndërtime pa leje, e megjithatë nuk kanë ndërhyrë për të ndërprerë punimet.

Këto hetime vijnë pas akuzave të kryeministrit Edi Rama i cili u shpreh se ka policë dhe shefa komisariatesh që kanë lejuar të ndërtohen pallate pa leje.

Ndërkohë që Inspektoriati i Mbrojtjes së Territorit ka raportuar për dhjetëra raste për ndërtime pa leje, por nga ana tjetër në pjesën më të madhe të tyre nuk janë marrë masa nga policia. Nisur nga këto fakte, AMP ka dyshime se këta efektivë nuk kanë zbatuar ligjin duke favorizuar ndërtime pa leje.