Transmetuar më 28-09-2022, 14:41

Shkodër- Në kudër të operacionit policor të koduar “North Forex 4”, u arrestuan në flagrancë J. P., 28 vjeç, banues në Vau i Dejës, administrator i subjektit, për veprat penale “Mashtrimi kompjuterik” kryer në bashkëpunimin dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale” dhe F. P., 36 vjeçe, shtetase rumune, banuese në Shkodër, menaxhere e subjektit, për veprat penale “Mashtrimi kompjuterik”, kryer në bashkëpunim dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale”.

Në vijim të veprimeve u bë shpallja në kërkim e shtetasve: E. S., 34 vjeç, banues në Shkodër, D. Sh., shtetas izraelit, banues në Tiranë dhe L. Gj., 25 vjeç, banues në Shkodër, me detyrë specialist teknologjie pranë subjektit call center.

Gjithashtu, nisi procedimi penal në gjendje të lirë për veprën penale “Mashtrimi kompjuterik”, për shtetasit: E. Sh., 25 vjeçe, K. G., 31 vjeç, O. J., 24 vjeç, E. Rr., 46 vjeç, M. Ç., 36 vjeçe, E. M., 31 vjeçe dhe A. K., 33 vjeç, të gjithë banues në Shkodër.

Shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit në subjektin call center, në lagjen “Kongresi i Përmetit”, kanë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 17 pajisje kompjuterike të përshtatura për mashtrim nëpërmjet platformave të ndryshme.

Nga veprimet hetimore ka rezultuar se 2 shtetasit e arrestuar, në bashkëpunim me 3 shtetasit e shpallur në kërkim, kishin punësuar disa operatorë, të cilët telefononin shtetas të ndryshëm dhe i mashtronin ata që të kryenin investime në bursa fiktive.

Gjithashtu, gjatë kontrollit në këtë subjekt janë sekuestruar edhe 2 aparate celulare që dyshohet se përdoreshin për lotari të palejuara.

Materialet iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprime të mëtejshme.