Transmetuar më 28-09-2022, 14:03

Vetëm 31 paraqitje zyrtare në ekipin e parë, 5 gola dhe 6 asiste. Periudha e mëparshme e Cristiano Ronaldos te Sporting CP nuk ka shifra të mëdha si në çdo ekip tjetër, për të cilin ai ka luajtur. 37-vjeçari nga Madeira është lojtari më i mirë që ka dalë nga akademia e të rinjve të klubit portugez dhe që nga ajo miqësore kundër Manchester United që çoi në kalimin e tij në “Old Trafford”, gjigantët e Lisbonës kanë dëshiruar kthimin e tij.

Portugezi kaloi kohë në “Old Trafford”, pati periudhën më të mirë të karrierës së tij te Real Madridi, vazhdoi të fitonte te Juventusi dhe tani po përpiqet ta kthejë Manchester United në lartësitë e mëparshme.

Cilat janë shanset që Ronaldo të rikthehet te Sporting? Në raste të mëparshme, nëna e yllit portugez, Dolores Aveiro, foli për rikthimin e mundshëm të Ronaldos në skuadrën e Lisbonës. Këtë herë, ajo e shtyu përsëri afatin: “Mund të ndodhë, por jo tani. Nuk u realizua këtë vit, mund të ndodhë vitin tjetër. Këtë vit apo vitin tjetër ai do të shfaqet, dashtë Zoti!”

Aveiro pranoi që nëse nuk kthehet Cristiano në Portugali, mund ta bëjë djali i tij, Cristiano Jr, i cili tashmë ka luajtur si sulmues në ekipet e të rinjve të skuadrave të ndryshme, ku ka garuar babai i tij: “Nëse Ronaldo nuk vjen, do ta bëjë djali i tij, Cristianinho”.

Kujtojmë se djali i madh i Ronaldos është 12 vjeç. Në kërkim të një pasuesi të Cristianos, Dolores Aveiro foli edhe një herë për nipin e saj më të madh: “Ai tashmë e ka një pasardhës, Cristianinho. Nëse dëshirat e një nëne dhe gjysheje plotësohen, e ardhmja e afërt e njërit prej djemve të tij do të jetë te Sporting”.

Ajo gjithashtu theksoi se presin që sulmuesi veteran, siç deklaroi edhe ai vetë në ceremoninë e ndarjes së çmimeve të Federatës Portugeze, të vazhdojë të luajë deri në moshën 40-vjeçare: “Cristiano ka vullnetin të vazhdojë të luajë deri në moshën 40-vjeçare”.