Transmetuar më 28-09-2022, 12:11

TIRANË- Shtyhet për të 6 herë seanca ndaj Arbër Paplekajt, dy ish-drejtorëve të policisë, Niko Palla dhe Albert Nushi, dhe 6 efektivëve të policisë “Shqiponja”.

Shkak i shtyrjes është është bërë mosshoqërimi i Paplekës në seancë. “Arbri (Papleka) ka dashur të jetë sot në seancë, por toga nuk e ka shoqëruar. Kanë thënë që nuk kishin kapacitete për ta shoqëruar”, tha avokati i Paplekajt.

Seanca e radhës është vendosur për në datën 30 shtator.

Si ndodhi vrasja e Pjerin Xhuvanit 4 ditë para zgjedhjeve të 25 prillit?

Më 21 prill 2021, rreth orës 14:00, disa ish-policë dhe ish-efektivë ushtrie, bllokuan automjetin e Mehmet Grejsit pasi sipas PD ishte duke shpërndarë lekë dhe duke blerë vota në lagjen "5 maji" në Elbasan. Bllokimi i makinës u bë përmes dhunës nga një grup i cili më pas u identifikua dhe rezultoi se bënte pjesë në "SMV"-të e ngritura nga Gazment Bardhi. Këto "SMV", u njohën si Struktura për Mbrojtjen e Votës, që ishin caktuar për të mbrojtur votën. Përplasja e dhunshme solli plagosjen e 4 personave dhe vrasjen e Pjerin Xhuvanit.

Të plagosurit ishin Paulo Vuksani, Emiljano Prenga, Eltjon Bodinaku dhe Xhensila Sota. Nga dita e arrestimit deri më sot në pranga është ish-oficeri i RENEA-s, Arbër Paplekaj i cili akuzohet se qëlloi për vdekje Xhuvanin dhe dhëndrin e tij, Eltjon Bodinakun. I përfshirë akuzohet se ishte Klemend Xhaferraj, i njohur edhe si "Kel çami", ndërsa ajo që nuk dihet është kush qëlloi ndaj Emiljano Prengës dhe Paulo Vuksanit, të dy ish-policë. Nga pamjet filmike të analizuara dhe ekspertizat e kryera ka rezultuar se Paplekaj qëlloi Pjerin Xhuvanin dhe efektiven e Shqiponjave Xhensila Sota.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd