Transmetuar më 28-09-2022, 05:40

Partia Demokratike tashmë e drejtuar sërish nga Sali Berisha, ka në epiqendër të planeve të saja politike, rrëzimin e qeverisë së Edi Ramës, me patjetër këtë dimër, siç shprehen zyrtarët e saj.

Deputeti, njëkohësisht edhe anëtar i kryesisë së PD-së, Oerd Bylykbashi, tha mbrëmjen e së martës në rtsh se rrëzimi i qeverisë Rama është objektivi kryesor i demokratëve.

Eksperti kryesor i çështjeve ligjore në opozitë dhe emër i papërlyer kurrë për korrupsion, deklaroi se plani për rrëzimin e Ramës është përqendruar në tri shtylla.

Ky plan konsiston në ndërthurje të protestave të vazhdueshme që të detyrojnë Ramën të pranojë ikjen si dhe me nisma legjislative dhe veprime politike parlamentare.

Protestat do të jenë të përshkallëzuara dhe me gjithpërfshirje, duke u mbështetur në të gjitha problematikat që hasin qytetarët. Me këtë rast, opozita po nxit qytetarët që të denoncojnë pranë saj çdo hall e shqetësim të jetës së tyre të përditshme që ato të kthehen në kauza demonstrimi tubues.

Bylykbashi foli dhe për risitë që sjell Berisha me rikthimin në krye të opozitës.

“Berisha ka ide më të reja se paraardhësi i tij. Nuk e përbën të renë mosha. Ata që akuzojnë Berishën si të vjetër ju siguroj se e kanë gabim. Vendimet tani janë shumë më kolegjiale", u shpreh ai.

Deputeti demokrat pohoi se lidershpi i PD-së nuk është i konsumuar dhe shtoi se PD tani po u jep përgjigje shqetësimeve të qytetarëve.

Duke siguruar se PD ofron mirëqeverisje, ai tha se e ardumja premton për mirë nëse opozita rimerr pushtetin, duke shporrur një qeverisje që kontrollohet nga të huaj. "Legjitimitetin në politikë s’ta japin ambasadorët. Duhet një qeverisje ndryshe.”- tha Bylykbashi.