Transmetuar më 27-09-2022, 13:51

GREQI- Një ngjarje me protagonistë një shqiptar dhe policinë greke ndodhi sot paradite në vendin fqinje.

Esmin Ferhati 30-vjeç u plagos me armë zjarri nga një efektive policie këtë paradite në Greqi. Ai aktualisht ndodhet në spital ku po merr ndihmën e nevojshme mjekësore, pasi efektivja e policisë e plagosi në këmbë.

Sipas mediave greke, 30-vjeçari shqiptar, i cili jetonte në konviktet e vjetra të studentëve, dyshohej se trafikonte drogë në bashkëpunim me disa persona të tjerë. Pas palgosjes ai është dërguar në Kryqin e Kuq, ku po trajtohet nga mjekët nën masa të rrepta sigurie.

Shqiptari u qëllua nga një police 35-vjeçare e ekipit të DIAS-it, e cila në atë moment po largohej nga vendi i ngjarjes, pasi nuk ishte ndjerë mirë kur papritur u sulmua me kaçavidë nga Ferhati.

Ndaj 30-vjeçarit rezultonin katër urdhër-arreste për vjedhje, armë dhe drogë në periudha të ndryshme kohore. Sipas informacioneve nga burime policore, deri më tani janë arrestuar gjithsej nëntë persona.

Gjithçka ka ndodhur mëngjesin e sotëm ku policia e kryeqytetit grek ka nisur një aksion në zonën e Universitetit Politeknik ku dhe ndodheshin konviktet e vjetra të studentëve. Aksioni u ndvrmorr pas hetimeve mbi përdorimin e zonën nga trafikantë të lëndëve narkotike. Ndërkohë që një efektive policie u tërhoq nga aksioni pasi nuk ndjehej mirë, në momentin që po hypte në makinën e saj private u sulmua me kaçavidë nga 30-vjeçari shqiptar. Për ta neutralizuar oficerja e qëlloi në këmbë të riun duke i shkaktuar plagë të lehta.