Transmetuar më 26-09-2022, 17:53

TIRANË- Në Shqipëri kanë mbërritur tashmë termocentralet lundruese. Ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim, e shoqëruar nga ministrja e Energjisë dhe Infrastrukturës Belinda Balluku, zhvilluan këtë të hënë një inspektim në vendin e instalimit të tyre në Vlorë.

Në fjalën e saj përpara kamerave ambasadorja amerikane theksoi se anijet nuk duken të bukura estetikisht, por janë funksionale dhe do të sigurojnë energji elektrike për rreth 150 deri në 200 mijë banesa në vit.

“I thashë ministres se nuk duken të bukur por rëndësi ka që funksionojnë. Po ju tregoj dhe statistikat, vitin e kaluar konsumi i Shqipërisë ka qenë 8.4 dhe nëse funksionon siç duhet këto termocentrale do të prodhojnë 114 megavat, kjo të paktën mund të përmbush 12-15% nevojat totale për energji elektrike të vendit. Në terma mesatar do të thotë 150 deri 200 mijë shtëpi që do të sigurojnë energji elektrike nga këto anije”, tha Kim.

Nga ana tjetër ministrja Ballaku shkruan se Shqipëria po punon intensivisht për të rritur kapacitetet prodhuese të energjisë për përballimin e krizës energjitike me të cilën po haset vendi.

“Nga të gjitha të dhënat që kemi për rajonin tonë, bursa hungareze, megavat ora për vitin 2023 mesatarisht do kushtojë 529 euro. Ndërkohë që kosto e megavt orën nga kjo njësi në varësi të kostos së naftës do kushtojë nga 170 deri në 200 euro. Më pak se gjysma e megavt orës që do tregtohet në bursë. Nuk ka të bëjë thjesht me sigurinë energjetike, përveç faktit që do prodhojmë 15% të nevojës vendase, do kurojmë më shumë se gjysmën e parave, gati 60% në krahasim me çfarë do të importonim këtë 15% të energjisë që na mungon. Mund tu jepen edhe vendeve të tjera me qira”, tha Balluku.