Transmetuar më 26-09-2022, 10:46

Ish-trajneri i Milanit dhe Real Madridit, Fabio Capello, gjatë një interviste për “A Bola”, tregoi një anekdotë shumë interesante në lidhje me shitjen e Ronaldo (Fenomenit) te kuqezinjtë, e cila u bë me vendim të vetë “Don Fabios”, gjatë aventurës së tij të dytë me “Los Blancos”.

Ish-trajneri i Anglisë dhe Rusisë vendosi të dëbojë sulmuesin brazilian Ronaldo nga “Santiago Bernabeu” në vitin 2007, një transferim që me sa duket ende e kujton me dashuri.

Capello u rikthye te Real Madridi në sezonin 2006-2007, kur karriera e Ronaldos ishte tashmë në rënie për shkak të problemeve të dukshme me peshën dhe, mbi të gjitha, për shkak të dy gjunjëve që luftonin për të mbështetur lojën e tij pas kaq shumë lëndimeve.

Vendimi për të hequr qafe “Fenomenin” ishte një nga më të diskutueshmit e marrë nga Capello në karrierën e tij, por sipas italianit, shitja e Ronaldos ndihmoi në përmirësimin e formës së sezonit të Real Madridit:

"Të jesh trajner i Real Madridit është një përgjegjësi e madhe. Në mandatin tim të dytë, vendimi për të larguar Ronaldon dhe për të nënshkruar me Cassanon ndihmoi në krijimin e një shpirti fitues në ekip. Ne kemi rikuperuar nëntë pikë prapa Barcelonës me 10 ndeshje përpara. Unë jam ende krenar për atë rikuperim edhe sot”.

Në mesin e sezonit 2006-2007, Ronaldo u largua nga kryeqyteti spanjoll për t’u transferuar në Milano për herë të dytë, por këtë herë në kahun e kundërt zikaltër.

Pikërisht për këtë shitje, Capello tregon një anekdotë qesharake me ish-presidentin kuqezi, Silvio Berlusconi: "Më kujtohet që Silvio Berlusconi më telefonoi për të më pyetur se si po kalonte Ronaldo. Unë i thashë se nuk stërvitej, por i pëlqenin festat dhe femrat, kështu që blerja e tij do të ishte gabim. Të nesërmen pashë titullin e gazetës: Ronaldo te Milani. Ishte shumë argëtuese".

“Fenomeni” luajti vetëm 20 ndeshje me kuqezinjtë për shkak të këputjes së ligamentit të kryqëzuar të gjurit pas njëfarë kohe. Ai kaloi dy vite të tjera në Itali, përpara se të kthehej në Brazil, te Corinthians, ku zgjodhi ta mbyllte karrierën e tij.