Transmetuar më 24-09-2022, 13:08

Ditë e trishtë për artin shqiptar, ndahet nga jeta në moshën 89-vjeçare mjeshtri i madh i pikturës shqiptare, Sali Shijaku. Ai ishte një nga piktorët më të rëndësishëm shqiptarë të gjysmës së dytë të shekullit XX, i cili edhe në komunizëm arriti të krijonte vlera artistike që ndikuan në modernizimin e pikturës shqiptare të viteve 1965 -1980.

Shijaku ishte piktor kolorist, dekorativ dhe krijuesi i kompozimeve një figurëshe në artin piktorik shqiptar të çerekut të fundit të shekullit XX.

Ai prej ditësh ishte i shtruar në spital në gjendje të rëndë shëndetësore, ndërsa lajmin për ndarjen e tij nga jeta, e njoftoi i biri i tij, Orges Shijaku.

“Me hidhërim të thellë ju njoftojmë për Humbjen nga kjo jete të Babait tonë Piktorit të Popullit Nderit te Kombit Shqiptar Sali Shijaku. I lehtë të qoftë dheu. I kushtove gjithë jetën artit dhe Shqipërisë”, shkruan djali i tij.

Sali Shijaku lindi më 12 mars 1933 në Tiran. Pasi kreu Liceun Artistik "Jordan Misja", të cilin e mbaroi më 1952-shin, vazhdoi studimet e larta në Institutin e Lartë të Arteve "I.E.Rjepin" në Leningrad (sot Shën Petërburg gjatë viteve 1956-‘61). E filloi krijimtarinë artistike në fillimin e viteve ‘60. Ai bënte pjesë në grupin e artistëve shqiptarë, që trajtuan tablonë kompozicionale, kryesisht me temë nga lufta, nga historia, nga legjendat, por edhe nga aktualiteti i kohës.

Epopeja e Vojo Kushit, një kalvar më vete

Sali Shijaku, konsiderohet një nga piktorët më të shquar dhe të rëndësishëm shqiptarë të shekullit XX. Ai ishte piktori i njërit prej heronjve kombëtarë, Vojo Kushit.

Kishte qenë vetëm 9 vjeç kur ishte zgjuar në mesnatë nga krismat e armëve dhe bombave. Kishte përjetuar edhe si dëshmitar okular një nga ngjarjet më heroike të Luftës Antifashiste, Epopenë e lavdishme të Kodrës së Kuqe. Nga ajo ditë e 7 tetorit 1942 ai jetonte me atë ngjarje dhe ëndërronte ta përjetësonte Heroin e tij Vojo Kushi.

Por kur gjithçka kishte përfunduar censura ia bllokoi pikturën sepse Vojo mbi tank ishte këmbëzbathur dhe pa këpucë. Ndaj i kërkuan artistit t’i “vishte” këpucë Heroit. Por kjo i përmbyste të gjithë veprën Mjeshtrit.

Ndaj përsëri ua dërgoi pa ndryshime. "Po këpucët ku i ka?", e pyetën. "Po a nuk ka thënë Partia që Luftën e bënë këmbëzbathurit", – u përgjigj me dinakëri artisti. "Ke të drejtë, i thanë, aprovohet".

Kështu mbijetoi tabloja e famshme “Vojo Kushi”, e piktorit tonë të madh, Piktorit të Popullit, Sali Shijaku, për t’ju mbetur trashëgim brezave si një kryevepër e realizuar me mjeshtëri të rrallë që mishëron në art një ngjarje të paharruar të Luftës Antifashiste.

Me talentin e jashtëzakonshëm ai shndërroi në art ngjarjet më epike të historisë, forcën shpirtërore dhe heroizmin e shqiptarit, vlerat e dashurisë për Atdheun, Kombin dhe Lirinë, si dhe një larmi figurash njerëzore.

Ai krijoi një pafundësi veprash e monumentesh artistike madhështore, siç është edhe një tjetër kryevepër e tij, Heroi i Lirisë Kombëtare, Mic Sokoli.

Për të gjitha këto vlera dhe kontribute të jashtëzakonshme, kujtimi i Nderit të Kombit, Sali Shijaku do të mbetet i paharruar dhe trashëgima e tij artistike gjithmonë e vlerësuar maksimalisht.

Një figurë e shquar

Figura e artistit Sali Shijaku është një nga figurat madhore të arteve pamore shqiptare. Shteti shqiptar e ka vlerësuar dhe nderuar kontributin e artistit me mjaft çmime.

Në vitin 1969 ai mori titullin "Artist i Merituar" dhe në vitin 1979 "Piktor i Popullit". Më 2004-ën ai u nderua me titullin "Nderi i Qarkut të Tiranës".

Në galerinë e piktorit të madh Shijaku numërohen 92 vepra të artistit në pikturë dhe skulpturë, nga të cilat 19 vizatime, 7 punime në qeramikë dhe 1 në allçi.

Një pjesë e koleksionit të veprave të Shijakut janë të ekspozuara në sallat kryesore të Galerisë Kombëtare të Arteve në Tiranë.