Transmetuar më 23-09-2022, 09:48

Lezhë- Grabitën gjatë mesnatës, nën kërcënimin e një arme zjarri kallashnikov, xhiron ditore të një karburanti dhe u larguan me motoçikletë, identifikohen, kapen dhe vihen në pranga 2 autorët e dyshuar të vjedhjes.

Shërbimet e policisë Lezhë kanë finalizuar me sukses operacionin policor të koduar "Ndjekja", në kuadër të të cilit është zbardhur në kohë rekord vjedhja në një karburant, janë identifikuar dhe kapur 2 autorët e dyshuar, si dhe janë gjetur dhe sekuestruar sendet e kundërligjshme të përdorura gjatë krimit.

Si rezultat i operacionit policor të koduar “Ndjekja”, u arrestuan në flagrancë shtetasit David Lalaj 21 vjeç dhe Mark Lalaj, 16 vjeç, (vëllezër) banues në Shënkoll, Lezhë, për veprat penale "Vjedhja me armë", "Mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe "Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike", të kryera në bashkëpunim.

Dy të rinjtë gjatë mesnatës së datës 22 shtator, kanë shkuar me motoçikletë në një karburant në Shënkoll dhe, nën kërcënimin e një arme zjarri kallashnikov, i kanë vjedhur shitësit, xhiron ditore dhe aparatin celular. Të dy shtetasit janë larguar më pas me motoçikletë. Pas kërkimeve intensive nga shërbimet e Policisë janë gjetur të fshehura në një zonë me shkurre dhe në një banesë të braktisur, arma e zjarrit kallashnikov, motoçikleta, skafanda e motoçikletës dhe veshjet që dyshohet se janë përdorur nga 2 autorët e dyshuar, për të kryer vjedhjen. Sendet e kundërligjshme u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Gjithashtu, gjatë kontrolleve personale dhe në banesën e të arrestuarve, u gjetën dhe u sekuestruan edhe aparati celular që i kishin vjedhur shitësit të karburantit, si dhe një sasi lënde e dyshuar narkotike kanabis.

Materialet procedurale u referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë për veprime të mëtejshme.