Transmetuar më 23-09-2022, 09:10

Ministrja e Arsimit, Evis Kushi foli sot për heqjen e licencës dhe mbylljen e shkollës jopublike “Mehmet Akif Ersoy”. Ajo thotë se ky vendim është rezultat i konstatimit nga Ministria e Arsimit dhe Sportit të një sërë shkeljeve të legjislacionit në fuqi nga zotëruesit e licencës.

Por çfarë problematikash ka nxjerrë ministria? Së pari shkolla ka filluar procesin mësimor 2022-2023 në një vendndodhje dhe mjedise të tjera, të pamiratuara nga MAS, pra pa certifikimin ligjor përkatës të standardeve të godinës.

Së dyti nuk i kanë plotësuar më tej kriteret ligjore edhe pse nga ana MAS është kryer dy herë verifikimi i tyre.

Dhe sipas ministres, në kushtet e ushtrimit të veprimtarisë jashtë kritereve përkatëse licenca duhet të revokohet.

Sa qëndron ky pretendim?

Në fund të vitit mësimor 2021-2022 kolegji ndryshoi godinë dhe shkoi nga rruga e Kavajës, në zonën e Mëzezit / Kashar (ish-godina e një universiteti privat).

Për të kthyer këtë godinë në një ambient të denjë për standardet tona, vepruam sipas përcaktimeve ligjore duke njoftuar Ministrinë e Arsimit si edhe morëm leje për të kryer punime nga institucionet e qeverisjes vendore, thotë kolegji dhe shton:

"Gjatë kësaj periudhe, deri në fund të muajit gusht kemi patur inspektime dhe korrespondencë të rregullt me autoritetet përgjegjëse dhe nuk kemi hasur asnjë problem dhe nuk jemi informuar për diçka që nuk shkon në drejtim të vijimit të punës normalisht", pohon fondacioni Gulistan.

Ministria e Arsimit dhe Sportit, nga ana tjetër thotë se në çdo rast ka përgjegjësinë për garantimin e standardeve, sigurisë dhe mirëqenies së nxënësve. Prandaj, thotë ministrja Kushi, në respekt të ligjit dhe në mbështetje të 160 nxënësve dhe të familjeve të tyre, do të marrë të gjitha masat e nevojshme për të transferuar nxënësit në shkolla që përmbushin kriteret dhe standardet e funksionimit.

Ndërkohë Ministria e Arsimit dhe Sportit pretendon se revokimi i licencës në fjalë nuk ka asnjë lidhje me faktin që shkolla ishte e mbështetur nga Guleni, rivali i Erdogan në mërgim në SHBA.

Më herët dje, pati një reagim për mbylljen e aktivitetit, nga vetë shkolla e mesme jopublike “Mehmet Akif” Tiranë.

Ajo tha se u njoftua vetëm nëpërmjet medias për VKM-në me objekt mbylljen e aktivitetit të institucionit duke mos mësuar zyrtarisht mbi shkaqet e vendimit.

Shkolla e Mesme jopublike “Mehmet Akif” ishte pjesë e Fondacionit “Gulistan” prej 26 vitesh në Shqipëri dhe është radhitur në mënyrë të vazhdueshme në krye të listës së shkollave më të mira.

Vendimi i qeverisë prek në mënyrë të drejtpërdrejtë 159 nxënës nga e gjithë Shqipëria dhe familjet e tyre krahas mësuesve dhe stafit mbështetës të shkollës.

Drejtuesit e shkollës pohojnë se ky vendim nuk ka të bëjë me arsimin apo zbatimin e ligjeve të këtij vendi. /noa.al