Transmetuar më 22-09-2022, 14:16

Në ditën e katërt të përgatitjeve të kombëtares për dy sfidat përmbyllëse të edicionit në Ligën e Kombeve, në prag të transfertës me Irzaelin (24 shtator) dhe duelit me Islandën në “Arena Kombëtare” (27 shtator), në konferencë për shtyp ka dalë ylli kuqezi, Armando Broja.

Duke luajtur në Premier League, si pjesë e Chelsea, sytë e shqiptarëve janë nga ai për golin dhe fitoren. 21-vjeçari shfaqi optimizëm para dy ndeshjeve, në të cilat varet objektivi i kuqezinjve, kreu i grupit. Për këtë “stacion” nevojiten medoemos 2 fitore:

“Mendimi im është se këto ndeshje janë të rëndësishme dhe duhen 6 pikë. Trajneri e bën formacionin, siç e tha Laçi. Ai ka aplikuar në stërvitje disa skema për ta fituar ndeshjen. Inshallah fitojmë 3 pikët në Izrael. Më e rëndësishme është të marrim 3 pikët, jo loja.

Titullar? Nuk e di, do të shohim. I bën trajneri zgjedhjet. Nëse më aktivizon, do të jap maksimumin. Shpresojmë të dalim me 3 pikë nag transferta me Izraelin.

E dijmë që do të jetë ndeshje e vështirë. Ky kundërshtar na mposhti edhe në Tiranë 2-1. Na duhet fitore për objektivin dhe shpresojmë të marrim më të mirën. Për mua s’ka shumë presion se po luajmë për qej, për fitore. Kam luajtur qysh 3 vjeç futboll. Dua të ndihmoj kombëtaren.

Gjithmonë jam në formë. Po bëj stërvitje çdo ditë. Ne e dimë që është e vështirë të luash shumë te Chelsea, nuk është si te Southampton. Jam mirë fizikisht, po vazhdojmë të stërvitemi si skuadër. Vetëm fitorja na bën punë ndaj Izraelit”.