Transmetuar më 22-09-2022, 10:57

TIRANË- Kjo është Rebecca Gannon, turistja 29-vjeçare që ndërroi jetë në Sarandë pak ditë më pare gjatë një ekspedite zhytjeje. Fotoja e saj është bërë publike nga media britanike, Daily Mail.

Rebecca Gannon, ishte me të dashurin e saj kur u gjend në vështirësi gjatë zhytjes nën ujë me një grup prej shtatë zhytës të tjerë. Instruktori Saimir Kushova, 45 vjeç, u hodh në ujë për ta shpëtuar pasi vuri re se ishte në vështirësi dhe arriti ta nxirrte në sipërfaqe.

Në lidhje me këtë ngjarje është arrestuar Kushova, pasi sipas policisë shqiptare ai kishte punësuar në mënyrë të paligjshme instruktoren e zhytjes në grupin e tij të punës, si dhe nuk ka siguruar kushtet e nevojshme teknike për zhytje.

Si ndodhi ngjarja dy ditë më parë

Në ekuipazhin e anijes ishin 8 të huaj bashkë me 3 shqiptarë. 29-vjeçarja, kishte kryer zhytje për herë të fundit në janar të këtij viti, kurse shtetasit e tjerë të huaj kanë kryer edhe më parë zhytje. E reja ka arritur që të dalë në sipërfaqe të detit dhe ka bërë thirrje për ndihmë. Grupi me të cilin ishte i kanë bërë thirrje që të shtypë butonin e emergjencës, i cili hap jelekun e shpëtimit dhe lëshon bombulën e oksigjenit. Por 29-vjeçarja nuk ka arritur që ta shtypë dot.

I dashuri i 29 vjeçares ka sqaruar se doli në ajër, por varka ka qenë 30 metra larg. Ai ka ecur në ujë gjatë zhytjes kur ka dalë dhe ka kërkuar ndihmë. Ekuipazhi i anijes ka qenë i specializuar dhe përpara se të bëjnë zhytje të gjithë kanë plotësuar një formular që dinë që të kryejnë zhytje. Jashtë e kanë nxjerrë 3 pronarët e anijes specialistë në zhytje.