
Disfata në fushën e Udinese, humbja e tretë në shtatë javët e para të Serie A, hapi krizën e Interit dhe vuri në pikëpyetje trajnerin e tij (sidomos për menaxhimin e zëvendësimeve). Sidoqoftë, Simone Inzaghi është i bindur se ende e ka ekipin në dorë dhe di si të dalë nga ky moment i errët.
“Gazzetta dello Sport” e raporton këtë, sipas së cilës nuk ka “fraktura” në dhomën e zhveshjes së zikaltërve dhe të gjithë po vozisin në të njëjtën anë, edhe nëse skuadra shpesh shfaqet shumë e shkëputur.
Sipas prestigjiozes sportive italiane, me rifillimin e stërvitjes, Inzaghi do ta mbajë ekipin nën kontroll të plotë, sepse tani është pika e kthesës. Vetëm duke menduar si grup mund të dilet nga kriza dhe është i nevojshëm ndryshimi i menjëhershëm i kursit.
Vështirësitë e fillimit të sezonit janë për t’i parë të gjithë, por për teknikun nuk mungojnë alibitë dhe këtë klubi e di mirë. Mungesa e Perisic po rëndon edhe më shumë se sa pritej, disa lojtarë kyç si Skriniar (ndoshta kushtëzuar nga një verë në tregun e transferimeve) dhe Brozovic janë jashtë formës.
Duhet ende kohë për t’u rikthyer Lukaku, i cili gjithashtu ka qenë jashtë fushave prej një muaji për shkak të lëndimit. Është e natyrshme të hasësh vështirësi me një kalendar aq të ngjeshur sa pengon mirëstërvitjen, por pas pushimit, zikaltrit duhet të ndryshojnë marshin, në Itali dhe në Evropë.
Dhe duhet ta bëjnë si grup, pasi sipas asaj që raporton “Gazzetta”, trajneri Inzaghi nuk ka asnjë dyshim për sjelljen e lojtarëve. Dhoma e zhveshjes rreshtohet kompakt në të njëjtin drejtim dhe ndjek udhëzimet e trajnerit, i cili nëse nuk do të ishte kështu, nuk do ta kishte problem “të varte dikë në murin e Appiano”, siç ndodhi te Lazio vite më parë.
Prandaj, Inzaghi mbetet i vendosur në stol. Trajneri ka mbështetjen e “Curva Nord”, vlerësimin e Marotta dhe klubit, gjithashtu të lojtarëve. Ndeshja kundër Romës duhet të jetë pika e kthesës.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





