
Mesfushori Fredy Guarín, ish-lojtari i Interit ndër të tjera, ka publikuar një foto duke qarë në llogarinë e tij zyrtare në Instagram. Në mbishkrim, futbollisti, i cili ka qenë pa klub që kur u largua nga Millonarios më 2021, u shpreh duke thënë se ishte një njeri "plot me vese, gabime dhe mëkate":
“Sot dua të tregoj veten ashtu siç jam, me zemër të hapur. Nuk e bëj këtë për keqardhje apo për të fituar ndjekës. E bëj me qëllimin për të prekur qoftë edhe një person të vetëm.
Ka kohë që jeta ime ka ndryshuar shumë dhe këta lotë që shihni në foto janë të një njeriu plot vese, gabime, mëkate e shumë gjëra të tjera… Populli im, jemi në kohë për t’ia hapur derën Zotit dhe le të na udhëheqë shpirtin e zemrën… Zoti më ka falur, e kam falur veten time”.
Vitin e kaluar, Fredy Guarín u arrestua nga policia e Medellín me akuzën e dhunës në familje. Ai u prangos nga policia në një gjendje dukshëm të dehur, i akuzuar për sulm ndaj babait të tij dhe anëtarëve të tjerë të familjes.
Pasi u lirua, lojtari hoqi dorë dhe mohoi problemet me familjen e tij, por zbuloi se po përballej me “një nga ato ndeshjet e vështira në jetë”.
Ish-lojtari i Portos, Interit dhe kombëtares kolumbiane u largua nga Vasco në shtator 2020 dhe është pa klub, qysh pas eksperiencën me Millonario vitin e kaluar.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





