
Qindra litra birrë iu ofruan fansave vizitorë në ndeshjen e Ligës së Kampionëve. Kjo ishte nisma e FC Copenhagen, klubit danez që në xhiron e dytë të fazës së grupeve të Champions League i mirëpriti kështu tifozët e Sevilla, që e kishin ndjekur skuadrën e zemrës në transfertë.
Një udhëtim prej gati 3 mijë kilometrash, të cilin klubi skandinav e ka shpërblyer në këtë mënyrë. Pak minuta pas nisjes së ndeshjes, në sektorin e mysafirëve të stadiumit "Parken" mbërritën disa punonjës me birra të shumta që u shpërndanë falas.
Tifozët e Sevilla e pranuan dhuratën me shumë lumturi. “Gëzuar! Dhe faleminderit që keni udhëtuar në Kopenhagë”, – kanë shkruar danezët në rrjetet e tyre sociale. Nëse do të mbahet mend gjesti i danezëve, nuk mund të thuhet e njëjta gjë për lojën.
Në fakt, ndeshja e vlefshme për grupin G të Champions League përfundoi 0-0. Kështu të dyja skuadrat mbeten në vendin e fundit të grupit me nga një pikë, ndërsa lider në renditje është Manchester City, që mundi Borussia Dortmundin të mërkurën në mbrëmje, aktualisht e dyta.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





