
Prania e Paul Pogba në radhët e Francës në Botërorin “Katar 2022” duket tërësisht në pikëpyetje. Të paktën deri në këtë moment.
Gjatë një konference për shtyp, trajneri francez Didier Deschamps i ka dërguar një sinjal të qartë mesfushorit të Juventusit: "Ai nuk do të vijë për turizëm në Katar. Nëse nuk do të ketë luajtur kurrë më parë dhe nuk është në formë të mirë spiortive, është e kotë. Ai vetë nuk e dëshiron këtë lloj pjesëmarrjeje në Botëror".
Referenca është lëndimi i mesfushorit të Juventusit, i cili e detyroi atë të operohej në meniskun e gjurit të majtë, pas një periudhe me terapi konservatore, por pa sukses.
Pogba fitoi Kupën e Botës me Francën në Rusi, në vitin 2018, dhe kësaj vere, pas katër vitesh te Manchester United, u kthye te Juventusi.
Dëshira e tij për të luajtur Kupën e Botës më 2022, fillimisht e shtyu atë të shmangte operacionin, pas problemit të meniskut të raportuar gjatë përgatitjeve parasezonale verore.
Kjo zgjedhje nuk dha rezultat, ndaj mesfushori përfundimisht duhej t’i drejtohej operacionit për të shmangur probleme të mëtejshme.
Tani Deschamps, në vend që t’i japë dorën Pogba, duket se e paralajmëron atë: nëse nuk je në formë, nuk mund të jesh i disponueshëm për ekspeditën e “Les Bleus” në Katar.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





