
TURQI- Ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlut Çavusoglu, është treguar ironik ndaj Bashkimit Evropian për mënyrën se si po e trajton krizën energjetike.
Gjatë një fjalimi që mbajti të martën në mbrëmje, në një takim të këshillit rajonal të partsië në pushtet AKP, ai tha se BE nuk ka vizion.
“Nuk kanë vizion, janë xhelozë që nuk kanë mundur të bëjnë një politikë europiane, prandaj do të ftohen. Zoti i ndihmoftë, ndërkohë që Turqia nuk ka asnjë problem”, tha ndër të tjera Çavusoglu.
Duke këmbëngulur në të njëjtin ton ironik, ministri i Jashtëm i Turqisë vazhdoi të thoshte nëse BE-ja do të kishte lëvizur në një hap me Turqinë dhe do të kishte lënë mënjanë arrogancën e saj, atëherë do të ishte një lojtar global që të gjithë do ta duartrokisnin. Ai theksoi se BE nuk ka vizion dhe se arroganca, xhelozia i verbon.
"Shiko tani, dimri po vjen. Kryesisht vendet e Europës po pyesin si do ta kalojnë dimrin? Sa ftohtë do të jetë? Disa vende vendosin një kufi të sipërm për termostatët. Disa në 19 gradë Celsius, disa në 20. Zoti i ndihmoftë”, vijoi Çavusoglou.
Sipas tij, në fakt, Turqia nuk ka asnjë problem me çështjen e gazit natyror "dhe kjo po ndodh për shkak të politikave tona", duke iu referuar qëndrimit të vendit të tij ndaj Rusisë pasi Ankaraja zgjodhi të mos vendoste sanksione ndaj Moskës për pushtimin e Ukrainës.
Siç raportoi agjencia e lajmeve Anadolu, Çavusoglu e quajti Turqinë "shpresa e gjithë botës në pikën ku kanë arritur pasi sipas tij vendet më të pasura po i drejtohen Turqisë. Kjo sepse po e përdorin shumë mirë pozicionin e tyre gjeopolitik dhe në dobi të të gjithëve.
"Sot janë të pakta vendet që bëjnë përpjekje të sinqerta për të zgjidhur problemet e botës. A ka ndonjë vend apo ndonjë aktor që mund të luajë një rol më të rëndësishëm se ne në luftën Rusi-Ukrainë? A ka ndonjë vend tjetër që mund të sjellë të dyja palët në tryezën e bisedimeve?"-përfundoi ai.
Vendet e Bashkimit Europian janë duke ndërmarrë disa masa shtesë për shkak të krizës energjitike që ka kapluar vende pas nisjes së luftës në Ukrainë. Kjo për shkak se 27 vendet anëtare kanë vendosur disa saknsione ndaj Rusisë gjë që ka bërë që kjo e fundit të ndryshojë pagesën e gazit nga euro dhe dollar në rubla si dhe të mbyllë disa herë tubacionet e furnizmit për vendet e BE.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





