Transmetuar më 14-09-2022, 09:22

Ibra duket si një ninja. Ai ka praninë e zakonshme skenike dhe për një mbrëmje është veshur me të zeza. Kalon një dhomë, ulet në një divan dhe flet. Ai flet për modën, për Milanin, për gjurin e tij që i hoqi ndjesinë e vrapimit në fushat e blerta.

Flet me ajrin e dikujt që ndihet se kontrollon gjithçka. Në një moment, Zlatan Ibrahimoviç ndalet dhe thotë: “Unë jam vetë arroganca, zero frikë”. Sikur nuk e kuptoi bota këtë, pas dy librash, 23 kampionatesh dhe mbi 500 golave.

Zlatan ndodhet në Milano, në zonën Porta Nuova, në dyqanin Dsquared2 për të prezantuar koleksionin e tij të dytë "Black on Black", një koleksion i kufizuar, i krijuar në bashkëpunim me stilistët Dean dhe Dan Caten. Aty bën rrëfimin e tij të radhës, duke lënë të kuptohet qartë se nuk ka ndërmend të tërhiqet nga futbolli, edhe pse më 3 tetor do të mbushë 41 vjeç.

“Do të kthehem së shpejti, – premton Zlatan. – Nuk do të tërhiqem, po kthehem dhe nuk do të dorëzohem”. Sezonin e kaluar, Ibrahimovic luajti 23 ndeshje të Serie A për Milani, i filloi si startues 11 prej tyre. Suedezi shënoi 8 gola dhe dha 2 asiste në kampionat.

Ai dëshmoi sezonin e kaluar se është ende shumë i fortë, por mbetet për t’u parë nëse do ta humbasë ritmin pas një operacioni tjetër në gju. Vetë e hedh poshtë “pensionimin”, teksa deklaron me krenari: “Nuk kam parë ende dikë më të fortë se unë.

Me siguri do ta shihni. Kur të kthehem, do të dëgjohem. Do ta bëj me dhunë. Nëse shoh një lojtar më të fortë se unë, do të ndalem. Por nuk e kam parë ende… Milani i ka të gjitha kredencialet për ta fituar kampionatin e dytë radhazi dhe për të sjellë në shtëpi yllin e dytë të lakmuar.

Po, jemi edhe më të fortë se sezonin e kaluar si grup. Në përgjithësi, ne jemi një ekip më i mirë. Merkatoja e verës pas titullit na forcoi dhe tani kemi më shumë alternativa në stol. A më pëlqen Milani? Kjo është e qartë. Nëse nuk do të më pëlqente, nuk do të isha këtu".

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd