Transmetuar më 13-09-2022, 14:31

Kontrata e Mbappe, e zbuluar nga “L’Equipe’, ka ndezur sërish thashethemet për mundësinë e kalimit të tij te Real Madridi në vitin 2024. Carlo Ancelotti doli para mediave për të folur për ndeshjen e nesërme të Ligës së kampionëve kundër Leipzig në “Santiago Bernabeu”, por emri i yllit francez u shfaq në pyetjet për të të gazetarëve.

Ancelotti, sapo dëgjoi emrin e Mbappe, u hodh në karrige dhe mes të qeshura tha: "Kontrata e Kylian? Përsëri me këtë (qesh)? Jemi të kënaqur me lojtarët tanë… Jemi shumë të lumtur me Vinicius dhe Rodrygo”.

Më tej, lidhur me ndeshjen e nesërme dhe shumë çështje të tjera, trajneri italian u shpreh: "Ndaj Leipzig është një ndeshje e rëndësishme për klasifikimin e grupit. Skuadra gjermane ka pasur probleme në fillim të sezonit, por luajti shumë mirë në ndeshjen e fundit, kundër Borussia Dortmundit. Ka lojtarë me cilësi, shumë të shpejtë. Duhet t’i vlerësojmë maksimalisht, të përgatitemi si duhet për ndeshjen dhe të përpiqemi të fitojmë.

Situata e Vinicius? Është mirë, shumë mirë. Është rikuperuar plotësisht nga ndeshja e së dielës. Vinicius, provokues apo i provokuar? Unë nuk jam shurdh dhe memec…, dëgjoj çfarë thuhet, por nuk është çështje për ne dhe as për Vinicius. Që nga viti i kaluar ai është përmirësuar shumë. Është e qartë se secili ka karakterin dhe cilësitë e tij, e rëndësishme për të është të jetë i fokusuar në lojë dhe çfarë duhet të bëjë, asgjë më shumë.

25 vite pas debutimit tim në Champions? Nuk e dija që tashmë kanë kaluar 25 vite. Ky kompeticion më ka dhënë shumë shpresë dhe lumturi, ndonjëherë edhe pak trishtim. Jam shumë i lumtur sepse kam pasur plot suksese me ekipet dhe lojtarët e mi. Qëllimi është të vazhdoj të jem i suksesshëm me një skuadër, me të cilën mund ta fitojmë sërish këtë kompeticion.

Kjo është një garë në të cilën ju kurrë nuk e dini se çfarë do të ndodhë. Benzema, gati për derbin? Ka mundësi, po ecën mirë. Vetëm nëse nuk kemi asnjë dyshim do të luajë".

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd