Transmetuar më 12-09-2022, 20:51

GREQI- Kryeministri Kyriakos Mitsotakis po zhvillon një vizitë në Francë. Ai8 u takua me presidentin francez Emmanuel Macron. Protothema  shkruan se dy liderët kanë bërë deklarata në hyrje të Pallatit Presidencial Francez dhe në këtë kohë janë duke zhvilluar një takim privat, ndërsa menjëherë më pas do të vijojë darka e çiftit presidencial francez me Mitsotakis dhe bashkëshorten e tij.

Në deklaratat e tij, presidenti francez foli për bashkëpunimin midis Greqisë dhe Francës, duke theksuar se të dy vendet po punojnë për sovranitetin dhe sigurinë evropiane, ndërsa tha se bashkëpunimi absolut në politikën e jashtme dhe industrinë e mbrojtjes merr një vlerë të madhe në kohët e vështira që jetojmë. Në të njëjtën kohë, ai theksoi se bashkëpunimi mes dy vendeve ka një histori të gjatë dhe do të vazhdojë edhe në të ardhmen, ndërsa theksoi se do të diskutohet gjerësisht edhe për luftën në Ukrainë.

Nga ana e tij, Mitsotakis vuri në dukje se të dy vendet kanë bashkëpunim në fushën e mbrojtjes, ekonomike dhe gjeostrategjike, duke theksuar se lidhjet që lidhin dy vendet janë krijuar vazhdimisht.

“Vitin e kaluar Parisi e ndihmoi Greqinë me zjarret, këtë vit ishte radha e Greqisë për t’iu kundërpërgjigjur”, tha kryeministri grek.

Më pas Mitsotakis iu referua energjisë, duke thënë se Bashkimi Evropian ka mundësinë t’i përgjigjet Putinit që përdor energjinë si armë. Duke iu referuar sfidave të Turqisë, ai theksoi se nuk duhet të lejohet vënia në pikëpyetje e sovranitetit kombëtar, duke thënë se do të diskutohen sfidat e vazhdueshme.

“Ata që kërcënojnë se do të vijnë natën, ne i presim në dritë” , tha ai, duke iu referuar kërcënimeve të Presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan.

Mitsotakis dhe Macron dihet se mbajnë një marrëdhënie të ngushtë personale dhe politike dhe takimin e tyre vjen në një moment kritik për energjinë, por edhe për zhvillimet rajonale.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd