Transmetuar më 12-09-2022, 14:08

Çavuşoğlu paralajmërim Greqisë: Nëse futeni në aventurë për llogari të të tjerëve, do t’i vuani pasojat

Ministri i Jashtëm i Turqisë ka bërë deklarata të forta kundrejt Greqisë duke i paralajmëuar ata hapur me luftë.

“Greqia vijon të kruhet dhe ky është paralajmërimi im i fundit”, tha Mevlut Çavusoglu gjatë ceremonisë përkujtimore të fitores së turqve kundër grekëve 100 vjet më parë pasi këta të fundit i ishin bashkuar koalicionit për pushtimin e Anadollit.

Ministri i Jashtëm turk i bëri thirrje Greqisë edhe që të mos jetë “mjet” i të tjerëve dhe t’i japë fund provokimeve të saj.

“Ndërsa ne përpiqemi të respektojmë të drejtat tona të fqinjësisë në të dy anët e Egjeut, Greqia vazhdon ende provokimet dhe kërkon telashe. Nëse hyni në një aventurë për llogari të të tjerëve, do t’i vuani pasojat sot si në të kaluarën. Ky është një paralajmërim për fqinjin tanë Greqinë”, tha Çavuşoğlu në një simpozium mbi Betejën e Sakarya-s të vitit 1921.

Türkiye (Turqia), anëtare e NATO-s për më shumë se 70 vjet, është ankuar për veprimet dhe retorikën e përsëritur provokuese nga Greqia në rajon gjatë muajve të fundit, duke përfshirë armatimin e ishujve pranë brigjeve turke që janë çmilitarizuar sipas një traktati të shekullit të kaluar, duke thënë se hapat e tillë pengojnë përpjekjet për paqe.

Duke e përkufizuar diplomacinë turke si “sipërmarrëse dhe humanitare”, Çavuşoğlu tha se vendi i tij mbron të drejtat dhe interesat e tij në të gjitha platformat.

Përgjigjja e Greqisë

Zëdhënësi i qeverisë greke Yannis Oikonomou kërkoi nga qeveria turke që të tërhiqej nga kërcënimet për luftë. Në një konferencë për shtyp pak më parë, zyrtari grek tha se qeveria e Erdoganit po përpiqet që të krijojë një realitet të ri përmes shpikjes së ngjarjeve historike.

“I ftoj ata që të heqin dorë nga retorika e luftës dhe të rikthehen te logjika. Besoj se këto që thonë janë vetëm fjalë përmes, të cilave duan të krijojnë një realitet që nuk ekziston”, tha ai.

Kohët e fundit ka patur një shtim të tensioneve mes dy shteteve, ku një varkë peshkimi turke u qëllua nga rojet bregdetare greke si edhe pati raportime se raketat S-300 të Greqisë në Kretë mbajtën në shënjestër për disa minuta avionët turq në Egje.

Turqit kërkojnë nga Greqia demilitarizimin e ishujve përballë tokës turke duke iu referuar marrëveshjeve ndërkombëtare, ndërsa sëfundmi grekët janë armatosur rëndë përballë kërcënimeve të fqinjëve për luftë.

Situata duket serioze, aq sa ekspertët e sigurisë theksojnë se një luftë Greqi-Turqi është e pashmangshme dhe ajo do të ndodhë shumë shpejt.

Një faktor tjetër që vlerësohet nga ekspertët si shkaku që mund të ndezë zjarrin nga ana turke lidhet me faktin se Turqia do të shkojë në zgjedhje në pranverën e ardhshme dhe partia në pushtet nuk i ka aspak punët mirë për shkak të korrupsionit masiv dhe çmimeve të larta.

Kështu, sipas tyre, mund të kërkohet nxitja e një problemi të jashtëm për të harruar problemet e brendshme. (noa.al/M.D)

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd