Transmetuar më 10-09-2022, 15:53

Kosovë-n Albin Kurti ‘refuzon’ Erdogan si negociator mes Kosovës dhe Serbisë.

Nga Podujeva, ku po qëndronte për vizitë, kryeministri Albin Kurti, i ka kthyer përgjigje presidentin të Turqisë, Rexhep Erdogan, në lidhje me gatishmërin e tij për të ndërmjetësuar në dialogun mes Kosovës e Serbisë. Me një gjuhë të matur, Kurti e ka refuzuar “ndihmën” turke, duke thënë se dialogu zhvillohet në Bruksel. Z.Kurti, me një gjuhë diplomatike, ka deklaruar tutje se ndihma e miqve është e mirëseardhur, duke theksuar se Turqia është një aleate e Kosovës.

“Ata i kanë agjendat e tyre dhe ne Turqinë e kemi shtet mik dhe aleat. Turqia është shtet shumë i fuqishëm në NATO, por dialogu që zhvillohet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë – ku Kosova nuk është aty temë por palë – bëhet me ndërmjetësimin e Brukselit dhe ndihmohet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Nesër do të vijnë përfaqësuesit specialë nga Berlini dhe Parisi që do ta shoqërojnë ndërmjetësin Lajçak, por natyrisht që ndihma e të gjitha shteteve tona mike është e mirëseardhur”, deklaroi Kurti nga Llapi, shkruan Nacionale.

E mos ardhjen e Erdoganit në Kosovë, Kurti tha se vizita e presidentit të Turqisë lidhet më shumë me Bosnjën.

“Përshtypja ime është që kjo vizitë ka pasur të bëjë më shumë me Bosnjën, sepse e konsiderojnë si një vend shumë më të rrezikuar se Kosova. Sepse Serbia dhe Kroacia kanë ndikime të fuqishme në Bosnjë dhe vizita në Ballkan kësaj radhe e presidentit turk lidhet me Bosnjën”, shtoi Kurti.

Çfarë tha z.Erdogan? Presidenti turk ka disa ditë që po qëndron në Ballkanin Perëndimor, në një vizitë që përfshiu Bosnjën, Serbinë, e Kroacinë.

Gajtë vizitës në Serbi, e ku u takua me homologun e tij serb, Aleksandar Vuçiq, Erdogan theksoi se Turqia është e gatshme që në mënyrë konstruktive dhe të paanshme, të ndërmjetësojë mes Kosovës e Serbisë kurdo që i kërkohet Turqisë.

Në deklaratën e tij, Erdogan e përshëndeti marrëveshjen për letërnjoftimet mes dy vendeve, duke uruar të arrihen marrëveshje edhe në çështjet e tjera problematike mes Serbisë e Kosovës.

“Jemi shumë të kënaqur që është arritur një marrëveshje për çështjen e kalimit me letërnjoftim të kufirit. Urojmë që të arrihet një marrëveshje sa më shpejt për çështje të tjera problematike, posaçërisht për çështjen e targave. Ne gjithmonë kemi mbështetur dhe e përkrahim edhe tani sinqerisht zgjidhjen e problemeve përmes dialogut. Kurdo që kërkohet ndihma jonë, ne japim kontributin e nevojshëm me të gjitha burimet tona, me një mirëkuptim konstruktiv dhe të paanshëm.”, theksoi Erdogan