Transmetuar më 10-09-2022, 14:46

Maqedonia e Veriut- Një rast i paprecedentë ka ndodhur në Maqedoninë e Veriut. Pas kallëzimit penal të Ministrisë së Punëve të Brendshme, Prokurori Publik nga Prokuroria Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shkup dje ka lëshuar Urdhër për kryerjen e hetimeve ndaj katër personave, të cilët dyshohen se kanë kryer veprën penale “ Trafikim fëmijësh”.

“Në fundin e muajit të kaluar në Shkup, një nga të dyshuarit, përmes një ndërmjetësi ka pranuar që djalit të shtetasve të dyshuar serbe t’i gjejë nuse. Ai kontaktoi të dyshuarin e parë dhe ata ranë dakord që të ofronin për nuse motrën e të dyshuarit të parë, e cila sapo kishte mbushur 14 vjeç. Sipas kontratës, për lidhjen e martesës do t’i paguhen 3000 euro, prej të cilave 200 euro do t’i jepen të dyshuarit të katërt. Për të arritur qëllimin e tyre, i dyshuari i parë dhe i katërt e kanë marrë vajzën nga shtëpia ku ajo jetonte dhe e kanë çuar në shtëpinë e të dyshuarit të katërt. Aty përmes video komunikimit kanë arritur marrëveshje për blerjen dhe shitjen e vajzës me shtetasit e dyshuar serbë, njofton Prokuroria Publike.

Siç kanë treguar ata, në fillim të këtij muaji, shtetasit e dyshuar serbë, për të bërë përgatitje për festë, kanë ardhur në shtëpinë e prindërve të vajzës. Meqenëse vajza nuk ka pasur dokument udhëtimi, e dyshuara “vjehrra” ka paguar shumën prej 6000 denarë për kërkesën e paraqitur për lëshimin e dokumentit të udhëtimit në procedurë urgjente.

Ndonëse vajza nuk ka dashur të martohej, duke pasur frikë nga i vëllai, ajo iu bind dëshirës së tij dhe më 4 shtator të këtij viti, në shtëpinë e prindërve u organizua një festë. Në shenjë revolte dhe mosmarrëveshjeje me këtë lloj martese, nëna e vajzës nuk mori pjesë në festë. Mirëpo, kjo nuk i ka lëkundur shtetasit e dyshuar serbë dhe ata nuk kanë devijuar nga synimi i tyre për të marrë nusen për të cilën tashmë kishin paguar paratë.

Prokuroria sqaron se pas përfundimit të festës, nën presionin dhe kërcënimin e të dyshuarit të parë, vajza së bashku me vjehrrin dhe vjehrrën – shtetasit e dyshuar serbë dhe të afërmit e tyre, kanë shkuar në shtëpinë e motra e vjehrrës, ku kanë qëndruar deri në lëshimin e dokumentit të udhëtimit. Pasi kanë marrë dokumentin e udhëtimit, vjehrra së bashku me vajzën kanë ardhur në shtëpinë e prindërve të vajzës dhe i kanë kërkuar nënës që të shkojë te noteri për të firmosur prokurën për të miturën për të udhëtuar jashtë vendit. Meqenëse nëna nuk ishte pajtuar me martesën e detyruar, ajo e refuzoi këtë kërkesë, pas së cilës rasti u zbulua nga zyrtarët e autorizuar./INA