
Përditësuar
Sistemi TIMS në vendkalimet kufitare të Shqipërisë është bllokuar dhe shkak besohet se është një sulm kibernetik.
Zyrtarisht thuhet se sistemi TIMS ka dalë jashtë kontrollit mbrëmjen e së premtes, 9 shtator 2022.
Por raportime të tjera e zhvendosin në kohë këtë problem prej të paktën një jave.
Kryeministri Edi Rama akuzon drejtpërdrejt Iranin se ka hakuar sistemin TIMS në Shqipëri.
"Një tjetër sulm kibernetik nga të njëjtët agresorë, tanimë të ekspozuar dhe dënuar prej vendeve aleate e mike të Shqipërisë, është shënuar mbrëmë mbi sistemin TIMS!", njoftoi sot ai.
Rama shton se po punohet pa ndërprerje dhe me aleatët ndërkombëtarë, "për t’i bërë të papenetrueshme sistemet tona digjitale".
Sakaq pasdreke pati një reagim edhe të Ministrisë së Brendshme. Ajo tha se mbrëmjen e kaluar sistemet e ruajtjes dhe transmetimit të të dhënave në Policinë e Shtetit janë gjendur nën një sulm kibernetik të ngjashëm me atë që pësoi e-Albania në muajin korrik.
Nga të dhënat paraprake rezulton që sulmi të jetë kryer nga e njëjta dorë.
MB konfirmoi se sistemi TIMS është ende jashtë funksionit: "Për efekt sigurie sistemet tona, përfshi atë TIMS, kanë qëndruar përkohësisht të mbyllura derisa rreziku të shmangej plotësisht. Shumë shpejt sistemi TIMS do të rikthehet në punë".
Disa javë më parë e-albania dhe sisteme të tjera shtetërore dolën jashtë funksionit për një kohë të gjatë pasi siç u tha nga qeveria, pësuan sulm kibernetik.
Rama akuzoi qeverinë e Iranit se kishte bërë sulmet kibernetike dhe dy ditë më parë ndërpreu marrëdhëniet diplomatike mes dy vendeve si dhe dëboi stafin e ambasadës.
Qeveria e Iranit nuk mohoi fillimisht akuzat, por tha më tej se ishin të pabaza. Njëkohësisht akuzoi qeverinë shqiptare se lejon muxhahidinët, të shpallur terroristë nga Irani, të strehohen në Shqipëri e për më tepër të kryejnë sulme kibernetike ndaj sistemeve qeveritare të Iranit. /noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





