Transmetuar më 08-09-2022, 07:37

Fati di të zgjedhë mirë “pengjet” e tij, në lojën e madhe të jetës. Kësaj here ishte radha e Giovanni Simeone të bëhej protagonist i historisë së fundit, të madhe që ofron loja e futbollit.

Sepse në golin e shënuar ndaj Liverpool-it, i pari me fanellën e Napolit dhe rrjedhimisht i pari edhe në “Diego Armando Maradona”, ka më shumë se gëzim të thjeshtë për 3-0 momental.

“E bëra tatuazhin kur isha 14 vjeç, me nënën time. Babi nuk donte”, – tha djali I Diego Simeone për DAZN disa muaj më parë, kur mbante ende fanellën e Veronës.

Duhet shpjeguar kjo skenë që tani mund të duket kurioze, duke pasur parasysh epilogun. “Cholito” tregon një tatuazh në kyçin e dorës. Është logoja ikonë e Ligës së Kampionëve. E pagabueshme.

Ai e bëri atë në moshën 14-vjeçare, duke vendosur një ëndërr si synimin e tij. Në moshën 27-vjeçare, 13 vite pasi nuk iu bind Diego Pablos, "Cholo", babait të tij, ajo ëndërr u bë realitet.

Giovanni SImeone tatoo

“Isha i fiksuar për të arritur këtu dhe ia dola. I thashë vetes se ëndrra ime do të ishte shënimi i një gol në Champions League dhe ta puthja tatuazhin”.

Ai as nuk e beson përmbushjen e kësaj ëndrre, vendos duart në fytyrë, pastaj shtrihet në tokë dhe qan. Ngrihet dhe puth tatuazhin në kyçin e dorës. Gjithçka siç pritej, si një fëmijë.

"E dija se do të shënoja, isha gati. Gjithmonë doja të arrija këtu, të luaja të paktën një minutë në Ligën e Kampionëve. Të kisha një shans. E pata dhe nuk gabova”, – shpjegoi ai pas ndeshjes kundër Liverpool në “Amazon Prime Video”.

Është nata e ëndrrave, që "Cholito" nuk do ta harrojë kurrë. Vetëm gjatë intervistës ai shikon tabelën e ndritur të stadiumit “Maradona” dhe zbulon se Antoine Griezmann ka shënuar golin vendimtar të Atletico Madridit, ku është trajner babai i tij. Gëzim i madh familjar! Dita e përsosur, e shënuar nga "puthja e fatit".

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd