
TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka reaguar për herë të parë lidhur me rastin e Ervis Martinajt. Ai ka kërkuar që Policia e Shtetit të japë një përgjigje për fatin e Ervis Martinajt, që rezulton i zhdukur prej më shumë se tre javësh.
Në fjalën e tij gjatë prezantimit të drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku, Rama tha se të gjithë shqiptarët dëgjojnë skenare e legjenda në lidhje me fatin e Martinajt, por që ka ardhur koha t’u jepet një përgjigje.
Ai kërkoi t’i jepet fund çdo aludimi dhe të dilet në përfundime nëse Ervis Martinaj është ekzekutuar e nëse një gjë e tillë nuk ka ndodhur, kryeministri kërkoi arrestimin e tij dhe vendosjen para drejtësisë:
"Gjithçka ka ndodhur në këtë gusht duhet të shërbejë si shuplakë për t’u ngritur në këmbë dhe për të vrapuar drejt një rruge më ambicioze për Policinë e Shtetit, a është e mundur se Policia e Shtetit nuk ka përgjigje për fatin e një prej profileve më të larta të krimit të organizuar në Shqipëri, është e papranueshme që me javë të tëra, mëngjeset e darkat e shqiptarëve, janë bërë si Big Brother, jo u vra, jo s’u vra ai që ishte i shumëkërkuar nga drejtësia dhe çfarë nuk dëgjojnë njerëzit, lloj-lloj legjendash me luanë e bamirës, oligarkë, shto ujë e shto miell. Si një serial absurd për një nga figurat më të zeza të botës së krimit shqiptar, dhe Policia e Shtetit nuk di ta thotë akoma, u vra apo nuk u vra. Kush e ka penguar ta thotë?"- tha Rama.
Në vijim ai u ndal në dukurinë e vrasjeve: "Trajektorja e vrasjeve, çdo vrasje është një e keqe, po nuk mund të bombardohet opinion që këtu vriten njerëz çdo ditë, në vitin 2012 janë vrarë 125 njerëz dhe krahasimisht, është përgjysmuar. Dhe nëse vjet, deri në fund të korrikut, kishim 38 vrasje, sivjet ishin vetëm 30. Këtë vit ishte numri më i ulët në 30 vjet. Por kjo nuk do të thotë që vrasjet, e sidomos mënyra e vrasjeve. Nuk po përmend shtete që të mos fillojnë memet, por të shikojnë trajektoren, disa vende të BE-së kanë më shumë vrasje, disa të tjerë më pak se sa ne.
Kur morëm ne detyrën, Shqipëria nuk dukej fare, sepse 125 vrasje në vit janë çdo lloj krahasimi, me kuadrin evropian. Por gushti, që na solli dhe këtu ku jemi sot, ishte një befasi alarmuese, një situatë e rënduar jo vetëm me vrasjet, por me disa shenja të tjera shqetësuese, pavarësisht se krahasimisht me vitet e mëparshme, ky gusht vijon të jetë me numrin më të ulët".
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





