
Trajneri katalanas pohoi përpara sfidës së Ligës së Kampionëve besimin e tij te skuadra dhe thekson se kryesorja është të fitohen tri pikët e para në fazën e grupeve dhe më pas të aspirohet maksimumi.
Me çfarë fryme e filloni këtë edicion të Champions League?
Është privilegj të luajmë sërish në këtë kompeticion. Na japin si favorit ndaj Plzenit, por kundërshtari i nesërm është shumë fizik, shumë punëtor. Është një kompeticion shumë i vështirë, por të ëndërrosh është falas. Po të mos ëndërroja fitimin e Champions League do të qëndroja në shtëpi. Duhet të arrijmë të paktën në 1/16, sepse jemi në një grup shumë të komplikuar (ku bëjnë pjesë edhe Interi me Bayern Munich). Objektiv janë titujt, por për nesër duhet të fitojmë. Janë tri pikë.
A është më i lehtë kundërshtari?
Do të na e komplikojnë, por është jetike ta fillojmë mirë. Këto tri pikë janë thelbësore. Duhet të kemi një ndjenjë të mirë pas ndeshjes së parë.
A është koha për rotacione?
Po, do të ketë rotacion në formacion. Kalendari është shumë kërkues, kemi nevojë për lojtarë që kanë minuta. Ka lodhje, por posedojmë një skuadër të kompletuar dhe duhet të bëjmë rotacion.
A mund të jetë largimi i Pjanic një mundësi për Pablo Torre?
Pjanic mund të na ndihmojë, por ai dëshiron të ketë më shumë minuta dhe ka vendosur të largohet. Me Pablo Torre, asgjë nuk ndryshon. Ai po stërvitet shumë mirë.
A nuk ka asgjë për t’i pasur zili ekipet e tjera rivale të Champions-it?
Duhet ta provosh. Mund të them që kemi një skuadër, por nëse nesër dalim huq, nuk ka dobi. Më pyesni në fund të sezonit.
A i mungon kontrolli i lojës ekipit tuaj?
Në Seville na mungoi dominimi në 15 minutat e para. Mbani parasysh që luan edhe Sevilla. Ndjesitë janë të mira, por qetësia na mungon ndonjëherë, edhe pse jemi përmirësuar në shumë gjëra. Ne jemi të rrezikshëm dhe agresivë.
Ku jeni përmirësuar?
Në vijën e mbrojtjes, në trekëndëshat, në agresivitet, në lojë pozicionesh. Që kur kam ardhur jam i kënaqur me përparimin.
A e konsideroni veten favorit për Champions League?
Le të konkurrojmë dhe të ëndërrojmë. Më pëlqen të fitoj, nuk e konceptoj të konkurruarit pa fituar. Të jesh favorit është diçka tjetër. Duhet të jemi të përulur. Çdo ndeshje do të jetë luftë. Ne nuk e kemi fituar Champions-in që nga viti 2015.
A është kjo Barçë në rrugën e asaj të Luis Enrique apo Guardiolës?
Janë dy referenca spektakolare. Të dy janë pa dyshim në mesin e tre ose pesë teknikëve më të mirë në botë. Më pëlqen të kem topin dhe të dominoj lojën, por nëse ka hapësira duhet të përfitosh prej tyre siç ndodhi në Seville. Me Guardiolën, gjithashtu përfituam prej kundërsulmit, siç bëmë në fitoren 6-2 në ‘Bernabeu’, me Henry. Gjithçka është ADN e Barçës.
A keni frikë nga presioni për të thënë se ëndërroni të fitoni Ligën e Kampionëve?
Presion ka çdo ditë, mirë se të vijë. Ne kemi fituar pesë Champions nën presion. Të ëndërruarit nuk e shton presionin.
A e keni diagnostikuar se çfarë ka ndodhur me Barçën në edicionet e fundit të Champions League?
Ato janë situata të ndryshme. Çdo vit është një histori më vete. Ajo që ne do të përpiqemi është të konkurrojmë në çdo ndeshje. Do të përpiqemi të mos i përsërisim gabimet, por në fund vetëm një mund të fitojë.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





