
"Paredes dhe Di Maria janë dy lojtarë të jashtëzakonshëm, ata do të na japin një dorë në nivelin teknik dhe profesional, jam shumë i lumtur. Di Maria? Të rrezikosh është e kotë. Duhet ta kemi 100% për ndeshjet që vijnë". Kështu, Massimilliano Allegri foli në konferencën për shtyp në prag të ndeshjes së Ligës së Kampionëve kundër PSG së Messit, Mbappe dhe Neymar, në “Parce des Princes”.
Sezonin e kaluar Juve u eliminua në fazën e 1/16 nga Villarreali, skuadra surprise. Këtë edicion, bardhezinjtë janë përfshirë në Grupin H me Benfica, Maccabi Haifa dhe PSG. Parizienët do të jenë kundërshtarët e parë të skuadrës së Allegrit, mbrëmjen e sotme:
“Champions League fillon, na duhen 10 pikë për të kaluar grupin. Është një ndeshje e mirë për t’u luajtur kundër një ekipi të jashtëzakonshëm. Do të bëjmë një ndeshje të bukur.
Është argëtuese, Champions League të jep emocione të ndryshme. Të luash këtu është një krenari për të gjithë, janë ndeshje edhe më të bukura. PSG është ndër më të fortët, për mua është numri një favorit.
Ne duhet të kalojmë grupin, pastaj fillon një Champions i ri. Kemi nevojë të ecim hap pas hapi, duhet të përmirësohemi. Tani nuk është vendosur asgjë, duhet të përmirësohemi dhe të punojmë”.
Për treshen Messi-Neymar-Mbappé: “Pavarësisht pozicionit, ata janë të jashtëzakonshëm. Do të duhet të jemi të mirë në mbulimin e tyre, kur të kenë topin dhe veçanërisht kur ne e kemi atë”.
Disa fjalë edhe për vlerën e Juventusit aktual: “Nuk është një ekip me vlerë ‘false’. Nëse bëjmë gjërat e duhura mund të krijojmë rreziqe për PSG. Duhet të punojmë për të bërë mirë nga tani deri më 13 nëntor, për të provuar sërish në janar kur do të rifillojmë, t’i kemi të gjithë lojtarët në gjendje.
Paredes pati një ndeshje të mirë në Firence, por në muajt e mëparshëm kishte luajtur vetëm 45 minuta. Di Maria nuk ishte mire, prandaj nuk u grumbullua. Tani na duhet të punojmë mirë për të krijuar kushtet. Edhe ky sezon është i ndryshëm, por fatet përcaktohen në mars. Kjo ndaj PSG nuk është finale”.
Një parashikim për kthimin e Pogba: “Ai kishte bërë një zgjedhje konservatore, do të kthehet në janar. Vështirë se do të jetë para nëntorit, duhet të jemi realistë. Në mëngjes doli në fushë për herë të dytë, ndaloi dhe vendosi të operohej.
Që të kthehet para Kupës së Botës? Ia uroj, shpresoj që po, por kanë mbetur edhe 45 ditë para fillimit të Botërorit. Kupa e Botës nuk është problemi im, te Juventusi kthehet në janar”.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





