Transmetuar më 05-09-2022, 14:34

“Gjobat e UEFA-s janë të buta, për më tepër çdo gjë pezullohet, sepse për tre deri në katër vite skuadrat mund të tregojnë se dinë të menaxhojnë biznesin e tyre në mënyrë korrekte dhe të drejtë. Në futboll, klubet që kanë kredencialet në rregull duhet dhe mund të luajnë, jo ata që janë në borxhe dhe në fund sjell probleme të mëdha.

Është një çështje serioze që nuk zgjidhet me fjalë, ka njerëz të thirrur për ta zgjidhur dhe shpresojmë që kjo situatë të përmirësohet”. Kështu u shpreh Zbigniew Boniek, njëri nga zëvendësit e Ceferin, për gjobat e vendosura këtë javë nga UEFA ndaj tetë klubeve evropiane, nga të cilat katër (Juventus, Roma, Inter dhe Milan) janë italiane.

Duke folur në “Radio Anch’io sport”, Boniek bëri edhe një bilanc të skuadrave italiane që nga nesër do të përfshihen në Kupat e Europës. "Grupi i Interit është i mrekullueshëm, sepse ka edhe Barcelonën e Bayern Munich, – nënvizon ai. – Janë grupe të vështira, të balancuara.

Milani, vetëm në letër, ka situatën më të mirë, por askush nuk mund të ndihet si fitues para se të luajë. Situata ndryshon në ‘Europa League’ apo në ‘Conference League’. Te Milani, – vijon Boniek, – më pëlqen loja dhe shpirti i grupit.

E njoh Piolin që kur ka luajtur me ne te Juventusi, më duket se po bën një hap përpara në cilësi. Sezonin e kaluar, kuqezinjtë fituan titullin, tani duken më të fortë dhe më të organizuar, luajnë më mirë.

Në ligën italiane dallimet midis pesë skuadrave më të mira, nga pikëpamja korporative, menaxheriale dhe ekonomike, janë aq të mëdha sa dyshoj se do të përshtaten të tjerët. Për mua, pesë do të luftojnë për katër vende në Champions League: dy milanezet, Roma, Juventusi dhe Napoli”.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd