Transmetuar më 02-09-2022, 19:37

Itali- Zbulohen detaje të reja nga vrasja e shqiptarit në Itali. Policia italiane ka vënë në pranga mekanikun 53-vjeçar Davide Cristiano Mossali pasi akuzohet se fshihet pas vrasjes së shqiptarit 40-vjeçar me origjinë nga Kosova, Nexhat Rama.

Trupi i këtij të fundit u gjet pa shenja jete, i djegur në një makinë tip “Range Rover” në Itali.

Karabinierët italianë ranë në gjurmët e vrasësit të shqiptarit pas këqyrjes së kamerave të sigurisë.

Ngjarja tragjike, u zbulua pasditen e së hënës pasi zjarrfikësit u njoftuan për një makinë të përfshirë nga flakët.

Ndërkohë pas hetimeve të imtësishme dhe ekzaminimit të tabulateve telefonike, policia italiane arrestoi italianin i cili tashmë aktualisht ndodhet në paraburgim, nën hetim për vrasje me paramendim, shkatërrim kufome dhe armëmbajtjes pa leje.

Nexhat Rama kishte jetuar për disa kohë me vëllain e tij në Rovato dhe më pas ishte zhvendosur në Capriolo.

Mekaniku italian kishte marrë një borxh prej 30 mijë eurosh nga Rama dhe për shkak të interesave të fajdeve shuma që kishte për të shlyer ishte rritur, ndaj ai e kishte gjetur veten në vështirësi.

Duke e pasur të pamundur shlyerjen e borxhit përfshirë këtu edhe interesin, Davide hartoi një plan për të shpëtuar.

Pikërisht ky plan ishte eliminimi i shqiptarit.

Mekaniku italian fillimisht ka qëlluar për vdekje me armë Ramën dhe më pas e ka futur në bagazhin e “Range Rover”-it që viktima i kishte marrë të vëllait dhe më pas e ka djegur.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd