Transmetuar më 01-09-2022, 11:00

Në përgjigje të pyetjes së noa.al, Philip Morris International (PMI) thotë se aktualisht produktet e duhanit me ngrohje që kanë shije nuk janë të ndaluara në BE dhe shton se propozimi i kufizimit është për tregtimin e disa shijeve specifike që përdoren në produktet me ngrohje

Pak muaj më parë Bashkimi Evropian propozoi të ndalojë përdorimin e produkteve të duhanit me ngrohje në 27 shtetet e tij anëtare, në një përpjekje për të trajtuar rritjen e rasteve të sëmundjeve të lidhura me duhanpirjen.

Noa.al duke cituar The Washington Post, raportoi se sipas një raporti të Komisionit Evropian produktet e duhanit me ngrohje kanë patur një rritje të konsiderueshme të popullaritetit në vendet anëtare duke tejkaluar 2.5 përqind të shitjeve të përgjithshme në BE.

Produktet e duhanit me ngrohje u krijuan në vitet 1980, por u ndërprenë pasi nuk gjetën përhapje. Ato përjetuan një rilindje në vitin 2014, kryesisht në Japoni, por popullariteti i tyre është përhapur në Evropë dhe Shtetet e Bashkuara, me shumë kompani duhani që tani kanë një produkt duhani me ngrohje, sipas një studimi në revistën mjekësore Lancet vitin e kaluar.

Më të njohurit përfshijnë IQOS, nga Philip Morris International dhe glo, nga British American Tobacco.

NOA.al lidhur me këto propozime kontaktoi me kompaninë Philip Morris International (PMI), e cila operon edhe në Shqipëri.

PMI thotë në përgjigjen e shkruar se “produktet e duhanit me ngrohje që kanë shije nuk janë të ndaluara në BE", duke pohuar më tej se sipas saj, "Komisioni Evropian ka propozuar për të kufizuar tregtimin e disa shijeve specifike që përdoren në produktet e duhanit me ngrohje (HTPs)".

"Ky propozim nuk është aprovuar apo të ketë hyrë në zbatim në BE. Duke qenë se Shqipëria nuk është anëtare e Bashkimit Evropian, këto rregulla nuk janë të aplikueshme”.

Gjithashtu kompania Philip Morris International beson se “nevojitet rregullimi ligjor i produkteve të duhanit dhe veprimtarive të marketingut për të siguruar se nuk ka një tërheqje të veçantë ndaj të miturve. Ndër të tjera, disa shije, luajnë një rol për të ndihmuar kalimin tek alternativat pa tym të duhanpirësve të rritur të cilët në të kundërt do të vazhdonin të pinin cigare, ndaj dhe mund të lejohen.”

Bashkimi Evropian po shqyrton mekanizma efektivë për të krijuar një “Brez pa Duhan”, duke synuar që deri në vitin 2040 të ketë më pak se 5 përqind të popullsisë që pinë cigare.