TIRANË- Policia ka arrestuar Arsen (Hamza) Muskurti pak orë pasi vrau të vëllanë Dritan Muskurti e kunatën Nora Muskurti. Mësohet se prangosja e Muskurtit është bërë nga forcat RENEA që iu bashkuan Policisë së Shtetit për kërkimin e autorit të krimit të dyfishtë që tronditi kryeqytetin këtë pasdite.
Krimi i dyfishtë në Tiranë e ka zanafillën tek një agjenci udhëtimesh. Në janar të këtij viti, me vendim gjykate, agjencia e udhëtimeve që dërgonte njerëz në vende të lindjes u kalua në emër të personit që mbeti i vrarë sot Dritan (Alban) Muskurti. Por, për Arsen (Hamza) Muskurtin, kjo gjë ishte e papranueshme. Dyshja konfliktoheshin çdo ditë, madje në Policinë e Tiranë ka dhe denoncime nga vëllezërit kundër njëri-tjetrit.
Këtë mesditë, Arsen Muskurti shkoi në lokalin ku i vëllai po konsumonte diçka me të shoqen, Nora Muskurti. Pas debatit verbal, sherri kaloi në konfrontim fizik. Dy vëllezërit u ngritën nga lokali dhe shkuan në agjencinë për të cilën dhe ishin në konflikt. Pikërisht brenda atyre ambienteve, Arsen Muskurti vrau të vëllanë e gruan e tij. Ngjarja është filmuar nga kamerat e sigurisë së biznesit që monitorohej brenda dhe jashtë. Pas krimit, autori është larguar nga vendngjarja dhe është shpallur në kërkim nga policia.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd