Transmetuar më 17-08-2022, 17:58

Tiranë – EFSA (Autoriteti Evropian për Sigurinë Ushqimore) vazhdon përpjekjet e saj për të ndaluar përhapjen e murtajës afrikane të derrave në Evropë duke zhvilluar fushatën për të tretin vit dhe duke nisur aktivitete të reja pilote në katër prej vendeve.

Autoriteti Evropian i Sigurisë Ushqimore po zhvillon një fushatë të madhe për të rritur ndërgjegjësimin ndaj Murtajës Afrikane të Derrave (MAD) në Evropë. Duke synuar rajonin juglindor të Evropës, fushata po zhvillohet në partneritet me autoritetet lokale dhe është duke u aplikuar në tetëmbëdhjetë vende: Shqipëri, Bosnje dhe Hercegovinë, Bullgari, Kroaci, Republikën Çeke, Estoni, Greqi, Hungari, Kosovë, Letoni, Lituani, Mali i Zi, Maqedoni e Veriut, Poloni, Rumani, Serbi, Sllovaki, Slloveni.

Këtë vit, EFSA do të zhvillojë një sërë “aktivitetesh pilote” të reja në katër vende – Bullgari, Poloni, Rumani dhe Serbi – ku situata në lidhje me MAD-në është veçanërisht e rëndë. Fermerët, veterinerët dhe gjuetarët do të jenë grupet e synuara të fushatës, pasi ata kanë një rol të rëndësishëm në këshillimin e fermerëve për biosigurinë në fermë.

“Murtaja afrikane e derrave është një sëmundje virale shumë ngjitëse që po përhapet në rajonet anembanë Evropës që më parë ishin të paprekura. Përhapja e sëmundjes është një kërcënim global dhe ka rezultuar në humbje shkatërruese për fermat e derrave në Evropë dhe më tej”, thotë Bernhard Url, Drejtori Ekzekutiv i EFSA-s.

“Së bashku me partnerët tanë nga autoritetet lokale po punojmë për të arritur tek fermerët, bagëtitë dhe mjetet e jetesës së të cilëve janë prekur nga kjo sëmundje vdekjeprurëse. Fushata #StopASF synon të informojë fermerët, veterinerët dhe gjuetarët, rreth asaj çfarë duhet të kenë kujdes nëpërmjet mesazhit tonë për zbulimin, parandalimin dhe raportimin e sëmundjes.”

Fushata “Stop Murtajën Afrikane të Derrave” është pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme të Komisionit Evropian dhe organeve të tjera ndërkombëtare për të ndaluar përhapjen e MAD në BE dhe vendet fqinje.

Çfarë është murtaja afrikane e derrave?

Murtaja afrikane e derrave (MAD) është një sëmundje virale që prek derrat e butë dhe derrat e egër. Virusi është i padëmshëm për njerëzit, por ka shkaktuar dëme të konsiderueshme ekonomike në shumë shtete. Nuk ka vaksinë të aprovuar në Evropë, kështu që një përhapje e infektimeve mund të kërkojë therjen e një numri të madh të derrave që rriten në fermat e zonave të prekura.

Kë targeton kjo fushatë?

Fushata u drejtohet grupeve të njerëzve dhe individëve që janë në kontakt me derrat e butë dhe derrat e egër, veçanërisht fermerët që merren me rritjen e derrave, gjuetarët dhe veterinerët. Me ndihmën e grupeve të fermerëve, organizatave veterinare vendore, shoqatave të gjuetisë dhe organeve të tjera përkatëse, fushata synon të rrisë ndërgjegjësimin për parandalimin e përhapjes së MAD.

Zbuloni më shumë informacion në faqen e internetit të fushatës.