Transmetuar më 17-08-2022, 22:08

Vritet një person në afërsi të stadiumit ‘Elbasan Arena’ në Elbasan. Viktima është Madrit Ulqinaku, 25 vjeç, me banim në Elbasan.

Në foton më poshtë shikoni të ndjerin Madrit Ulqinaku.

Mësohet se në momentin që Ulqinaku po hipte në makinë pranë stadiumit ‘Elbasan Arena’ është ekzekutuar nga një person i armatosur.

Noa.al konfirmon se autor i dyshuar i vrasjes së Madrit Ulqinakut dje në Elbasan është Horgito Peqini, 18 vjeç. Ai është në arrati. Në kërkim është dhe Klaudian Sallufi, 33 vjeç. Kurse është arrestuar Ejden Dino, 18 vjeç. Që të tre të dyshuarit janë me banim në Elbasan.

Autorët janë larguar nga vendngjarja në drejtim të paditur, ndërkohë që policia ka blinduar gjithë zonën.

Policia dha këtë informacion fillestar për ngjarjen:

Më datë 17.08.2022, rreth orës 21:50, në lagjen "Kongresi", Elbasan, gjatë një konflikti për motive të dobëta midis disa të rinjve, dyshohet se shtetasi K.SH, rreth 20 vjeç, ka qëlluar me armë zjarri pistoletë dhe për pasojë ka humbur jetën shtetasi M. U., rreth 25 vjeç, banues në Elbasan.

Shërbimet e Policisë kanë shkuar në vendngjarje, së bashku me grupin hetimor.

Është rrethuar zona dhe vijon krehja e saj për të bërë të mundur kapjen e autorit.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Në foton më poshtë noa.al ju sjell pamje sonte nga postblloqet policore në Elbasan.