Transmetuar më 17-08-2022, 09:01

Sagës së futbollit më të përfolur në Angli e më gjerë i shtohet edhe një kapitull, ai mes Cristiano Ronaldos dhe Manchester United. Thyerja mes palëve tashmë është e plotë.

CR7 dëshiron të largohet nga klubi për të luajtur në Champions League, klubi dhe trajneri tani duken të bindur për ta lënë të largohet, aq sa në ditët e fundit hipoteza e ndërprerjes së kontratës u shfaq.

Tabloidet angleze shkruajnë gjithashtu se ish-lojtari i Real Madridit dhe Juventusit ka drekuar vetëm, pa shokët e skuadrës, të cilët gjithashtu janë ngopur me sjelljen e portugezit. Dhe tani këtu është shpërthimi “social” i Cristianos.

"Të vërtetën do ta dini pas dy javësh, kur të jap një intervistë. Mediat gënjejnë. Unë kam një koleksion në shtëpi dhe nga 100 lajme për mua, vetëm 5 janë të vërteta. Ndiqni këtë këshillë".

Ky është mesazhi i postuar nga Ronaldo në Instagram përmes komenteve në postimet sociale, duke paralajmëruar së shpejti një intervistë në të cilën është gati të hedhë dritë mbi gjithçka, të thotë të vërtetat e tij përkundrejt atyre që i quan “lajme të rreme” nga mediat.