Transmetuar më 17-08-2022, 07:46

Një kampion bote si David Trezeguet ka autoritetin të flasë se kush mund të jetë fituesi i ardhshëm i Kupës së Botës. Në Bolavip, ish-sulmuesi i Juventusit dhe Francës bëri një parashikim për Botërorin e Katarit:

“Është e qartë se Franca mbetet kandidati numër 1 për të fituar Kupën e Botës së ardhshme. Është një kombëtare që prej kohësh ka bërë gjëra të rëndësishme”.

Pavarësisht humbjes së “Euro 2016”, me Kupën e Botës të fituar më 2018, duke shtuar Ligën e Kombeve në vitin 2021, Trezeguet tha se kombëtarja e drejtuar nga ish-shoku i skuadrës Didier Deschamps është mjaft solide, me ambicie, duke pasur parasysh individualitetet e mëdha në dispozicion.

44-vjeçari franko-argjentinas, ndonëse beson se Franca është favorite, dëshiron që dikush tjetër të triumfojë në Katar. "Kam dëshirë ta shoh Argjentinën të fitojë Kupën e Botës dhjetorin e ardhshëm", – tha pa pendim “Mbreti David”. Referuar karrierës së tij, përveç asaj te Juventusi, Trezeguet ka veshur fanellat e Platense, Monaco, Hércules Alicante, Baniyas, River Plate, klubi i të cilit është tifoz, Newell’s Old Boys dhe Pune City.

Do të ketë zëra të shumtë që do të komentojnë garën e Kampionatit Botëror deri në nëntor, por kush e di se çfarë mendojnë francezët për opinionin befasues të “Trezegolit”, njeriut që u ndal te traversa në finalen e “Berlin 2006”.