Transmetuar më 26-07-2022, 20:26

Varshavë- Mediat polake kanë hedhur hije të forta dyshimi lidhur me vdekjen e Andrzej Izdebski, i njohur si tregtar armësh dhe që mashtroi shtetin polak për furnizimin me respiratorë për të prekurit nga Covidi.

Ai u gjet i vdekur në Shqipëri në muajin qershor të këtij viti.

Mediat polake shkruajnë se Prokuroria e Lublinit ka hedhur dyshimet se trupi i Izdebskit është djegur në Shqipëri dhe se familja e tij ka marrë hirin e tij në Poloni.

Kjo ngjarje ka marrë jehonë në mediat polake të cilat kanë nisur të hedhin drita dyshimi mbi vdekjen e qytetarit polak.

Një gazetar polak, Jan Rojewski nga portali “True Story”, pas disa verifikimeve që ka bërë është shprehur se pretendimi i prokurorisë polake se trupi i Izdebski është djegur nuk qëndron. Sipas tij nga informacionet e marra, në Shqipëri nuk ekziston tradita e djegies së trupit dhe për më tepër nuk ekziston infrastruktura e duhur për ta bërë këtë.

“Në Shqipëri nuk është djegur asnjë kufomë e ndonjë shtetasi të huaj. Për më tepër nuk ka një traditë një traditë të tillë atje (në Shqipëri) dhe infrastrukturën e duhur. Drejtori i përgjithshëm i agjencisë së shërbimeve funerale në Tiranë siguron që një shërbim i tillë nuk ofrohet në vendin e tyre. Edhe pse ligji e lejon djegien nga viti 2014, administratorët e varrezave e kryejnë atë për të ricikluar mbetjet e vjetra dhe për t’u krijuar vende për varret e reja”, shkruajnë mediat polake.

Në këtë mënyrë ato shtrojnë pyetjet se mbi çfarë baze është lëshuar certifikata e vdekjes së Izdebskit? Dhe a ka vdekur vërtet ai? Duke ngritur një mister të vërtetë mbi vdekjen e shtetasit polak Andrzej Izdebski.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd