Transmetuar më 15-07-2022, 13:10

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, doli në një konferencë shtypi para gazetarëve, ku u ndal më gjatë në amnistinë fiskale, të propozuar nga qeveria socialiste për miratim. Lideri historik i demokratëve tha se është totalisht kundër kësaj nisme, të cilën e kanë kundërshtuar me forcë edhe ndërkombëtarët:

“Në qoftë se, siç ka qëllim kryesor, të legalizohen paratë e krimit, pasi ju e keni të qartë se nuk ka shqiptar të ndershëm, i cili me punën shtesë të ndershme që mund të bëjë, qoftë edhe të paregjistruar, të mund të sigurojë 2 milionë euro kursime, është gjithçka pra, ka vetëm një synim, që “çunat” të legalizojnë paratë e krimit dhe ne jemi kategorikisht kundër saj.

Gjithashtu, me këtë proces, nuk ka diskutim se Edi Rama dhe grupi i tij do të kenë një taksë veças nga ajo që kanë shpallur për shumicën e këtyre legalizimeve, shumave të legalizuara.

Mbi të gjitha, ky është një shpërblim për ata që merren me trafiqe kriminale, gjë të cilin qytetarët dhe biznesmenët e ndershëm nuk e meritojnë kurrë. Ky është një shkelmin i barazisë dhe i parimeve të të drejtave të biznesit. Këtyre ua rrit taksat, ua çon 23%, atyre iu thotë që paratë e pista që keni ua taksoj me 7 apo 10%.

Ndër të gjitha reagimet, reagimi i Komisionit Europian është jashtëzakonisht i rëndësishëm, sepse jemi në ditët kur shpresojmë të merret vendimi për hapjen e negociatave. Ligji i kundërshtuar nga KE përbën një bazë edhe për hapjen e negociatave me Shqipërinë. Nëse nuk bie poshtë, hapja e negociatave do të shtyhet.

Legalizimi i parave të krimit është vetëm një aspekt i veprimtarisë së kësaj qeverie. Ndërkohë, vjedhja vazhdon “non stop”. Vjedhja shënon, jo në rrafshin sasior, por në rrafshin cilësor, një rekord botëror të padëgjuar dhe të paparë.

Këshilltari i ministres së ndërtimeve publike më të kushtueshme në Europë dhe në Botë, Belinda Balluku, i tenderave me 99.99%, një Berberi a si quhet, rezulton se ka rritur fitimin e kompanisë së tij, duke e shitur dhe blerë atë në 4 muaj 600 herë.

Çfarë dëshmon kjo? Kjo dëshmon se në këtë vend, për shkak të sistemit korruptiv të instaluar nga Edi Rama dhe bashkëpunëtorët e tij, për shkak të funksionimit të kësaj qeverie si një grup apo organizatë e mirëfilltë kriminale, çdo lloj imagjinate, çdo lloj projekti që mund të imagjinohet, mund të shndërrohet në realitet, pasi ligjet nuk ekzistojnë.

Rama paska thënë se nga amnistia fiskale do të përjashtohen personat me të shkuar kriminale dhe pjesë e OFL? Ai i ka vënë në krye të PS trafikantët dhe të dënuarit. Ai ka trafikantë, vrasës, njerëz që kanë qëlluar dhe plagosur të tjerët. A mund t’i besosh atij? Ai i quan burra të mirë ata. Po ç’është OFL? OFL është lista që i jep Rama policisë për t’iu prerë gjobën.

Preku gjë OFL pronat e klanit Xhafa? Unë mund të jap dhe shembuj të tjerë. Janë me qindra persona që janë marrë me trafiqe kriminale dhe nuk janë të zbuluar. Nuk mund ta bëjë Shqipëria këtë.

A ka mundësi që një person me punë të ndershme të kursejë 2 milionë euro? Kurrë! Ky e ka vetëm me krimin. Është pa asnjë diskutim ky qëllimi. Krimi është shkaku që nuk na i kanë hapur negociatat”.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd