Transmetuar më 06-07-2022, 12:18

Protesta e nesërme e opozitës dhe shoqërisë civile është titulluar “Shqipëria në rrezik”. Pavarësisht motit tejet të nxehtë, pavarësisht kohës së zgjedhur, korrikut, kur njerëzit pushojnë në plazhe kryesisht, pritet një pjesëmarrje e madhe nesër mbrëma, prej orës 19:00, para kryeministrisë.

Kauzat janë të shumta, për të cilat ia vlen ta ngresh zërin, sepse aty ku nis korrupsioni galopant gjen edhe skandalet e inceratorëve, rritjen pa kufi të çmimit të karburanteve, krizën e madhe që ka pllakosur familjet shqiptare.

Çmimet e çdo gjëje kanë fluturuar, ndërsa rrogat ose qëndrojnë në vend-numëro, ose janë ulur. Laku është shtrënguar aq shumë, sa nuk mban më. Organizatorët e protestës së nesërme i kanë përmbledhur të gjitha shkaqet për të protestuar në një fletëpalosje, që do t’i jepet në dorë secilit pjesëmarrës në tubim.

Janë 49 arsye të renditura njëra pas tjetrës, që bashkohen nën një lejtmotiv: “Fronti i Shpëtimit Kombëtar: Bashkimi i Kauzave!”

Konstatohet që në fillim demaskimi i ish-kryetarit të opozitës, Lulzim Basha, si njeriu që ka shitur kauzat dhe protestat në vendin tonë, në 8 vitet e shkuara.

Me ironi, në këtë fletëpalosje shkruhet: “7×7 arsye bëjnë 49 (dhe jo 42)! Boll më me kauza të shitura!”

PO sot është zbuluar edhe himni i protestës, kënga ‘"jë hap përpara (Rikthimi)" nga Renis Gjoka dhe Big Basta. Shumë demokratë e kanë ripostuar orët e fundit atë në rrjetet sociale, duke nënvizuar thelbin e tekstit: "U bo mut…, s’përballohet jeta nëse s’je hajdut”. Videoklipi i krijuar enkas për këtë rast parakalon me pamje të gjitha skandalet më të mëdha të qeverisë 9-vjeçare të Edi Ramës. Thirrja që gufon e fortë nga kënga është kjo: “Zgjohu shqiptar, hapi sytë dhe shiko!”